
GJERMANI- Një person ka qëlluar me armë zjarri jashtë gjykatës në Bielefeld, ndërsa pritej të zhvillohej gjyqi për vrasjen e boksierit nga Kosova, Besar Nimani. Nga të shtënat, dy persona kanë mbetur të plagosur në këmbë. Gjyqi nisi që në orën 9.00 të mëngjesit, kur edhe po merrej dëshmia e një prej vrasësve, 38-vjeçarit Hüseyin Akkurt, i cili u arrestua në Bruksel. Autori tjetër, Ayman Dawoud Krit është ende në arrati.

Në orën 13:30, pak pas përfundimit të gjykimit, disa persona (deri më tani dyshohet se janë 2) papritmas qëlluan me armë zjarri.

Dëshmitarët okularë tregojnë për BILD se oficerët e policisë jashtë derës së sallës së gjyqit papritmas bërtitën: Dikush po qëllon jashtë!; e më pas dolën të gjithë me vrap në rrugë. I pari është qëlluar në këmbë vëllai i të pandehurit, i cili është kapur edhe nga kamerat e pranishme teksa futej në ambulancë.
Përveç vëllait, mësohet se është plagosur edhe babai – dyshohet se është qëlluar në mushkëri dhe është në gjendje kritike. Dyshohet se ka edhe një të lënduar të tretë, por ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht nga Policia.
Sipas asaj që dihet deri më tani, një nga agresorët ka qëlluar nga trotuari përballë, më pas u fut në një makinë të zezë dhe qëlloi nga brenda mjetit. Më pas, u zhduk. Ndërsa bashkëpunëtori i tij u jap brenda zonës së gjykatës.

Boksieri shqiptar nga Kosova, Besar Nimani u ekzekutua me 8 plumba në qytetin e Biefeldit në Gjermani në mars të vitit të shkuar. Mesa duket Besar Nimani kishte shkelur në qarqe të gabuara. I riu ishte arratisur nga Kosova për në Gjermani me prindërit në moshën 12-vjeçare, ku edhe kishte arritur që të integrohej mirë falë sportit. Si amator, ai fitoi 87 nga 98 luftime, kohë kur edhe u njoh kampionin botëror të WBO, Marco Huck (39). Si profesionist, ai ishte pothuajse i pathyeshëm, ishte një kampion ndërkombëtar i pamposhtur në IBF, si dhe kampion i Evropës në peshën e mesme të lehtë humbi vetëm një herë në karrierën e tij profesionale./ZËRI