ELBASAN- Detaje të reja janë zbuluar nga ekzekutimi i biznesmenit 43-vjeçar Edmond Mëhalla në Elbasan, i cili u qëllua pranë biznesit të tij sapo hipi në makinë, mbrëmjen e së dielës. Autorët, të cilët sipas hetuesve, njëri ka qenë qitësi dhe tjetri ka drejtuar makinën me të cilën janë larguar nga vendi i ngjarjes, vazhdojnë të mbeten mister.
Ndërkohë, burime për News24 kanë zbuluar se makina e autorëve të dyshuar të krimit, tip "Audi" ngjyrë e zezë, ka qenë në pronësi të njërës prej kompanive të biznesmenit. Automjeti në fjalë u gjet i djegur paraditen e sotme në afërsi të fshatit Mirakë.
Mondi Mëhalla u ekzekutua mbrëmen e të dielës në mjetin e tij Range Rover, i cili gjendej i parkuar pranë karburantit "Xhaxhi Oil" në pronësi të tij, ndërsa autorët janë larguar në drejtim të Librazhdit.
Hetimet janë përqendruar në konfliktet e mundshme që 43 vjeçari Mëhalla ka pasur kohët e fundit, pasi disa prej te shoqëruarve dhe të afërm të viktimës kanë dhënë deklarimet e tyre para grupit hetimor. Mëhalla ka qenë i skeduar më herët për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, ndërkohë që në vitin 2020, Prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim pasuror ndaj tij për pastrim parash./ZËRI

