
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 81-vjeçari Xhemal Meta, i cili u gjet i pajetë dy ditë më parë në Qafë Mollë. Policia u njoftua për ngjarjen mëngjesin e datës 13 janar nga një komshi i viktimës, i cili e kishte gjetur të ndjerin të pajetë pranë disa gurëve në oborrin e banesës së tij.
Drejtori i Policisë Tiranë në një konferencë për shtyp njoftoi se autori i dyshuar, Isuf Hasa ka shkuar në shtëpinë e Metës dhe të dy janë konfliktuar për motive të dobëta. Fqinji 64-vjeçar e ka goditur Metën me çekiç në pjesën e prapme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen. Ai dyshohet se pasi e ka goditur viktimën, i ka marrë edhe paratë që Meta kishte në xhep dhe është larguar. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia sekuestroi shumën e lekëve prej 200 mijë lekësh, ndërsa në banesën e vajzës së autorit u gjet mjeti çekiç më të cilin Isuf Hasa ka kryer vrasjen.
Deklarata e Elton Alushit:
Më datë 13.01.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.4, kanë marrë njoftim nga një shtetas se komshiu i tij shtetasi Xhemal Meta është konstatuar i pa jetë në oborrin e banesës së tij. Shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor kanë shkuar menjeherë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para hetimore ka lindur dyshimi se ky shtetas mund të ishte vrarë me sende të forta. Për hetimin dhe zbardhjen e rastit u krijua një grup i posacëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijoi punën intensivisht për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Grupi i posacëm hetimor i përbërë nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe Specialistët e Departamentit te Policisë Kriminale nën drejtimin profesional të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Pergjithshme Tiranë, kanë kryer një sërë veprimet profesionale hetimore nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit.
Falë punës hetimore intensive, brenda 48 orësh është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar. Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13.01.2025, rreth ores 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjec, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen. Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimen i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar.
Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj. Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.H,(vajza e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen. Në fazë operacionale janë përfshirë Specialistet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, Komisariatit të Policisë nr.7, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i shtetasit Isuf Hasa për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
81-vjeçari Xhemal Meta u gjet pa shenja jete në oborrin e banesës së tij në Zall-Bastar më 13 janar. Ngjarja fillimisht u raportua si aksidentale. Policia u njoftua për ngjarjen mëngjesin e datës 13 janar nga një komshi i viktimës, i cili e kishte gjetur të ndjerin të pajetë pranë disa gurëve në oborrin e banesës së tij. Fëmijët e të ndjerit jetojnë në Tiranë dhe në polici kanë deklaruar se familjari i tyre nuk ka pasur konflikte dhe nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të kohëve të fundit./ZËRI