ITALI- Dy muaj pas vdekjes tragjike të Fatos Cenaj, autoritetet italiane kanë dalë në përfundimin se ishte vrasje me dashje, me gjurmët e hakmarrjes që çojnë në të kaluarën shqiptare të viktimës. Mediat italiane bëjnë me dije karabinierët e kanë identifikuar autorin e dyshuar, i cili tani është zyrtarisht nën hetim për vrasje të qëllimshme. Sipas hetuesve, burri e qëlloi viktimën në kokë. Kjo hedh poshtë teorinë fillestare se të shtënat u qëlluan aksidentalisht.
Pista kryesore e hetimit mbetet hakmarrja, megjithëse konteksti në të cilin lindi është ende i paqartë. Hetuesit, të koordinuar nga Prokurorja Publike Maria d’Arpa, tani kanë përjashtuar çdo hipotezë tjetër: ky është një krim, sipas një modeli të planifikuar. Trajektorja e re e hetimit tregon për një hakmarrje që u zhvillua larg Italisë. Është në këtë kontekst që hetuesit kanë regjistruar një person për vrasje me dashje, duke respektuar prezumimin e pafajësisë.
58-vjeçari shqiptar, Fatos Cenja, i cili jetonte dhe punonte në Fontaniva të Italisë, u gjet i plagosur rëndë me armë zjarri më 8 qershor, ndërsa po shkonte me biçikletë drejt fermës ku punonte çdo ditë. Pas disa ditësh ai ndërroi jetë si pasojë e një plumbi në kokë. Sipas hetimeve, mëngjesin e 8 qershorit në atë rrugë kanë kaluar mbi 30 makina. Shumica e tyre i përkasin banorëve të zonës që ishin kthyer nga kisha ose po bënin punët e përditshme.
Ka dyshime që Fatos Cenaj gjatë karrierës së tij në Shqipëri, mund të ketë shkelur diku "në kallo" dhe tashmë pala tjetër ka gjetur mundësinë për t'u hakmarrë. Por personin që ka qëlluar e ka parë vetëm Cenaj. Hetimi tashmë ka ndryshuar drejtim, duke distancuar teorinë e një aksidenti./ZËRI


