Aktualitet

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjon Shkambi kërkon lirinë: Nuk ka arsye të mbahem në paraburgim

Sipas Gjon Shkambit, nuk ka kushte ligjore që ai të mbahet i izoluar në paraburgim

E.K
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjon Shkambi kërkon lirinë: Nuk ka arsye
astrit kalaja, gjon dhe elvis shkambi

TIRANË- Gjon Shkambi, i arrestuar si përkrahës i nipit të tij, Elvisit, në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit, kërkon lirinë, me pretendimin se nuk ka asnjë arsye që ai të vijojë të mbahet në paraburgim.

Shkambi, mbi të cilin rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, i kërkon Gjykatës së Tiranës ndryshimin e masës arrest me burg, pasi sipas tij nuk ekzistojnë kushtet qe të mbahet në paraburgim, dhe se nuk ka lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.

Seanca ndaj Shkambit pritet të zhvillohet sot, ndërkohë që ai së bashku me nipin e tij, mbahen në paraburgim që prej datës 6 Tetor, kur dhe u vra gjyqtari Kalaja.

Autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt (babë e bir), 30-vjeçari Elvis Shkambi do të përballet me tre akuza: “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armës”. 

Sipas Prokurorisë, xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi dyshohet se kishte dijeni për planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në procesin gjyqësor dhe se mund të ketë luajtur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën që ai pretendon në Shkodër. Në të njëjtën kohë, Prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të akuzës, duke hequr nga akuza vrasjen e gjyqtarit. 

Ndërkohë, Banush Koxhaj, roja i sigurisë, akuzohet për shpërdorim detyre. Prokuroria thotë se ai nuk ka ndërhyrë pavarësisht se detektorët kanë sinjalizuar praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës.

Si ndodhi ngjarja?

Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi. /ZËRI

Poll

MOS HUMB