TIRANË- Gjykata e Tiranës pritet të shpallë më datë 9 dhjetor vendimin përfundimtar për autorin e dyshuar, Mario Përlleshaj, të vrasjes së Martin Canit, ngjarje e ndodhur më 18 nëntor 2024 pranë shkollës “Fan Noli”. Ndëkrohë, në seancën e sotme, mbrojta ligjore e 15-vjeçarit kërkoi rikualifikim të veprës penale për të miturin Marjo Perlleshaj nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.
Prokuroria e Tiranës kërkoi 25 vite burg për autorin, ndërsa Gjykata do të vlerësojë dënimin përfundimtar duke i kujtuar kodin penal për të mitur përkatësisht nenin 97, i cili përcakton se dënimi në këto kushte nuk i kalon 12 vite. Nëse gjykata merr parasysh këto rrethana, autori i vrasjes së Martin Canit dhe plagosjes së Luis Meçes mund të dënohet me më pak se gjysma e dënimit fillestar, pra me 12 vite.
Si ndodhi krimi?
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari u shoqërua në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI