Aktualitet

Vrasja e Santiago Malkos! Blendi Teta mbetet në qeli, GJKKO lë në fuqi dënimin me 25 vite burg

Teta kishte rolin e vëzhguesit në vrasjen e Santiago Malkos. 

F.I
Vrasja e Santiago Malkos! Blendi Teta mbetet në qeli, GJKKO lë në
Santiago Malko dhe Blendi Teta

TIRANË-Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, të akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Teta kishte rolin e vëzhguesit në vrasjen e Santiago Malkos. 

Në maj të viti 2025 Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit të Posaçëm për Blendi Tetën dhe vendosi kthimin e çështjes për gjykim nga me një tjetër trup gjykues. Çështja kaloi në Gjykatën e Apelit, por edhe kjo e fundit la të njëjtin vendim në fuqi, dënimin me 25 vite burg për të akuzuarin Blendi Teta.

Njoftimi i gjykatës: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha (anëtare) dhe Edlira Petri (anëtare), sot më datë 04.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 21.07.2025 regjistrimi.

Kjo çështje është regjistruar pas prishjes nga Gjykata e Lartë të vendimit nr. 32, datë 14.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimit për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues - disponuar mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri/ankues B.T., ndaj vendimit nr. 05, datë 26.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 05, datë 26.01.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

U shpall në Tiranë, sot më datë 04.12.2025.

Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMW X5”. Për vrasjen e Malkos, SPAK akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.

Të dhëna për vrasjen e Malkos janë zbuluar edhe nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, duke iu referuar Malkos, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë). Dyshja Duka-Martinaj kanë qenë miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë në fushën e lojërave të fatit, marrëdhënie që u kris dhe vijoi më pas me eliminimin e krahëve të njëri-tjetrit. Tashmë i zhdukur pa gjurmë është edhe vetë Martinaj, ndërsa Duka është ekstraduar dhe po përballet me drejtësinë./ZËRI

Poll

MOS HUMB