VLORË- Qyteti i Vlorës u trondit mesditën e djeshme nga një krim në familje, ku Llogora Xhebro dhunoi për vdekje bashkëshorten e tij, Sose Xhebro dhe më pas kreu vetëvrasje me armë zjarri. Ndërkohë detaje të tjera janë mësuar lidhur me ngjarjen, teksa bëhet me dije se konfliktet e vazhdueshme të çiftit kishin vijuar edhe gjatë ditëve të festave të fundvitit.
Sipas fqinjëve, gruaja kishte shkuar të jetonte te e ëma në Vlorë para festave të fundvitit, por pas insistimeve të bashkëshortit, ajo u kthye në banesë për të festuar me fëmijët. Ndërsa vetëm një ditë pas festimit të ndërrimit të viteve, ndodhi krimi në familje, ndërkohë që nga ana e autoriteteve dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë. Për këtë, priten edhe dëshmitë e familjarëve dhe dy fëmijëve të tyre, të cilët kanë qenë vetë ata që kanë kanë lajmëruar Qendrën Shëndetësore të Orikumit.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur mesiditën e së premtes, 2 janar 2025, në banesën e çiftit. Burime bëjnë me dije se 52-vjeçari fillimisht e ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij, Sose Xhebro, dhe më pas e ka mbytur për vdekje. Pasi e dhunoi gruan, Llogora Xhebroj e çoi atë në spital, ku ajo mbërriti pa shenja jete. Pas ngjarjes, ai u kthye në banesë dhe kreu vetëvrasjen, duke qëlluar veten me armë zjarri tip pistoletë në garazhin e banesës. Në vendngjarje është gjetur edhe një gëzhojë.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe apelon për kujdes dhe ndërhyrje të menjëhershme në raste konflikti familjar./ZËRI

