
GREQI-Policia greke ka arritur të zbardhë një atentat të ndodhur në 23 shtator të një viti më parë në Athinë, ku mbetën të plagosur me armë dy shtetas shqiptarë. Hetimet e policisë zbuluan se atentati ishte porositur nga burgu nga 48-vjeçari shqiptar Klod Cara alias Klodian Lekocaj, i burgosur prej vitesh si autor dhe porositës i disa vrasjeve dhe ngjarjeve të rënda në Greqi.
Dy shqiptarët, Kristjan Stefa, 35 vjeç nga Elbasani dhe Florian Bajraktari, 37 vjeç nga Tirana, të dy me precedentë penalë, janë qëlluar nga një fuoristradë Nissan Qashqai, duke i lënë të plagosur. Në vendngjarje policia ka gjetur 7 gëzhoja ndërsa autorët janë larguar në drejtim të panjohur.
Pas 5 muaj hetime, policia greke arriti të zbulojë personat e përfshirë në atentat. Top Channel shkruan se nga kqyrja e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë, policia zbuloi se personi që hapi zjarr ishte Ledjon Çela, 34 vjeç, nga Korça. Ditën e ngjarjes, në bashkëpunim me persona ende të paidentifikua, ka vjedhur në rrugën “Ipiro 190” në Koridhalo të Athinës, automjetin tip “Nissan” Qashqai të cilin e parkoi në rrugën “Kritis” në Athinë.
Si ndodhi vrasja
Një orë para ngjarjes, pranë mjetin “Nissan” ka mbërritur një automjet “Citroen” C1, nga ku ka zbritur shtetasi Mateo Nunaj, 23 vjeç, nga Lushnja, i cili ka hipur në vendin e shoferit të mjetin “Nissan” dhe është larguar me të. 45 minuta më pas, Ledjon Çela, Mateo Nunaj dhe 24-vjeçari Aleksandër Baki kanë lëvizur si këmbësorë në zonë, pranë vendit ku ishte parkuar mjeti “Nissan”. Pas kësaj janë futur sërish në mjet, Nunaj si shofer, Baki në vendin e parë dhe Çela si pasagjer nga pas. Duke lëvizur me mjet, ata janë afruar në vendin ku ndodhej Stefa dhe Bajraktari dhe nga dritarja e mjetit, Çela ka hapur zjarr duke plagosur dy personat. Pas të shtënave, mjeti tip “Nissan” është larguar drejt rrugës “Delijorgji” dhe ndaloi më tutje. Pasagjerët kanë zbritur më pas dhe janë larguar në këmbë.
Në 31 mars, policia ka shoqëruar Aleksandër Bakin, i cili rrëfeu ngjarjen dhe përfshirjen e tij. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur për “larje hesapesh” mes Klodian Lekocaj dhe Kristjan Stefa. Për këtë, Lekocaj ka urdhëruar Ledjon Çelen që të kryente atentatin. Dy të fundit njiheshin me njëri-tjetrin në burg. Policia ka arritur të vendosë në pranga Aleksandër Bakin, Klodian Lekocajn dhe Ledjon Çelen. Dy të fundit ndodhen të burgosur, përkatësisht në burgun e Malandrinos dhe të Hios. Sipas dëshmisë së Bakit, Mateo Nunaj rezulton se është larguar drejt Shqipërisë.
Dy viktimat e atentatit, rezultojnë persona me precedentë penalë. Kristjan Stefa rezulton i arrestuar në prill 2024 pas një operacioni në Greqi, si pjesë e një grupi që merrte sende të vjedhura. Ndërsa Florian Bajraktari rezulton i arrestuar në Greqi në vitin 2006 për vrasjen me pagesë të shqiptarit Niko Demo, për të cilën ishte liruar me kusht në 2018, ndërsa në 2020 rezulton i arrestuar sërish për lojra fati në Greqi.
Kush është Klod Cara alias Klodian Lekocaj, shqiptari famëkeq i “Mafia e Burgjeve”
Klod Cara alias Klodian Lekocaj, 48 vjeç, një personazh kontrovers është kthyer në qendër të viteve të fundit për shkak të etiketimit nga media greke si Kreu i familjes së “Mafia e Burgjeve”. Se sa realisht ai është i tillë, kjo nuk dihet, pasi vetë ai në daljet publike në media e konsideron “të varfër”, “të pafajshëm”, “të mos disponojnë” por faktet, dëshmitë dhe përgjimet që janë në politikën greke të çojnë drejt mendimit se realisht Lekocaj ka pasur dhe ka ende një rol në botën e tyre të grupeve kriminale shqiptare.
Lekocaj shpesh nëpër përgjime e dëshmi ka dalë se ka lidhje me grupin e kriminalitetit duke u vënë ose atyre ose vetes në lidhje me këtë krim. I tillë ishte dhe rasti i 14 shtatorit 2022 kur policia greke arrestoi rastësisht dy shqiptarët Viktor Çala 39 vjeç dhe Andi Beqiri 23 vjeç. Ata u kapen në Athinë, pasi në automjetin e tyre u gjetën të fshehura 2 Kallashnikovë dhe 1 thikë, ndërsa në banesë 1 pistoletë.
Hetimi i policisë zbuloi se Çala ishte autori i vrasjes së një greku dhe tentatives se vrasjes së një shqiptari, te dy incidentet të ndodhura në muajin korrik 2022. Kështu, "Klod", i cili njihet në kartelet greke edhe si "Luli" ose "Ilia", u akuzua më pas me një tjetër akuzë pas akuzave të mëparshme për urdhërimin e vrasjeve të avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, të burgosurit Arbër Bako, të burgosurit Bardhyl Tusha, përfshirje në tentativën e vrasjes së pakistanezit, gjoba të vendosura për ish-ministrin grek, Dimitri Tsovardo etj. Në fakt, Klod përveç urdhrave ka edhe precedentë si autor i drejtpërdrejtë.
Ai u arrestua fillimisht në vitin 1997 për vjedhje. Në vitin 2003 është arratisur nga burgu i Volosit, ndërsa në vitin 2005 në Agio Pantaleimona ka qëlluar dhe plagosur në bark një shqiptar dhe më pas në të njëjtin vend në vitin 2006 së bashku me dy shqiptarë ka goditur me thikë një bashkëkombas të tij.
Në vitin 2013, ai u arrestua për trafik droge dhe vjedhje dhe u dërgua në burgun e Korfuzit, ku pasi mori leje, u arratis në vitin 2014 dhe pak ditë më vonë, së bashku me Arbër Bakon, mori pjesë në një tentativë grabitjeje që rezultoi në plagosjen e një egjiptiani, ndërsa më 31 tetor 2014, së bashku me Arbër Bako dhe një vrasës në Polgio, në Olti.
Lekocaj u arrestua përfundimisht në nëntor 2014 në Sepolia, nën shoqërinë e Dhimo Mecit, një gjirokastrit i përfshirë në disa vrasje me pagesë në Greqi dhe i cili ishte person në kërkim në momentin e arrestimit. Arrestimi i tyre erdhi pas ngjarjes në Mikrolimano ku Arbër Bako plagosi me kallashnikov disa klientë të një lokali në zonë. Klodian Lekocaj përmendet gjithashtu se kishte lidhje me shqiptarët Elvis Bogdani dhe Ari Papa, të ekzekutuar më parë në Greqi. Në vitin 2019, Lekocaj akuzohej se kishte rekrutuar një vrasës me pagesë nga Shqipëria për të ekzekutuar një pakistanez, ndërsa në mars të 2023, Lekocaj u akuzua për zhvatjen e 100 mijë eurove nga një biznesmen grek.