PATOS- Një sipërfaqe pylli me pisha dhjetravjeçare në fshatin Gjinoqarë, bashkia Patos, është përfshirë nga një zjarr i përmasave të mëdha pasditen e sotme, ndërsa era po favorizon përhapjen e flakëve. Raportohet se rreth 4 hektarë pyll me pisha janë djegur brenda pak orëve. Bëhet me dije se ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është gati e pamundur për shkak të terrenit të vështirë. Po ashtu, edhe shefi i zjarrfikësve në Bashkinë Patos, Alket Halimi thotë se janë 4 automjete zjarrfikëse në vendngjarje, por e kanë të pamundur të ndërhyjnë.
Banorë të zonave apo trukturave të Bashkisë po ndihmojnë gjithashtu zjarrfikëset me mjete rrethanore, ndërkohë që flakët po avancojnë për shkak të erës. Zjarri ka rënë në pyllin midis fshatrave Gjinoqarë dhe Drenie, sakaq mësohet se fatmirësisht për momentin nuk rrezikohen banesa të fshatit. Ndërkohë, kryeplaku Nuri Gllava është shprehur se masivi pyjor ka dekada pa pastruar, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Ai ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga ajri, pasi tha se rrezikon të dalë jashtë kontrollit dhe zjarri të afrohet edhe në zonat e banuara të fshatrave përreth./ZËRI