
TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga rasti i 2-vjeçares që u dërgua në spital me shenja të djegies me cigare në trupin e saj. Mësohet se e mitura është dërguar në Spitalin e Pediatrisë në QSUT nga halla e saj, me pretendimin se ishte ftohur, ndërsa mjekët kanë konstatuar në trupin e saj shenja të djegies me cigare. Sipas familjarëve këto plagë ia kishte shkaktuar i vëllai i saj 9-vjeçar.
MERRET NË PYETJE I VËLLAI
Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se i mituri është marrë në pyetje, në prani edhe të psikologut, ku ka pranuar se ai ka qenë autori i djegies me cigare të trupit të së motrës, por pa dhënë arsye se pse e ka kryer këtë akt të rëndë. Ajo që e bën dhe më të rëndë dhe të mistershme ngjarjen, është fakti se 2-vjeçarja është mbajtur për një javë e pamjekuar në banesë.
Pritet që tashmë e mitura të merret nën kujdes nga shërbimi social. Gjatë ditës së djeshme në media u publikuan foto të së miturës e cila kishte shenja në disa pjesë të trupit, përfshirë dhe ato intime. Sipas mjekëve, një pjesë e shenjave në lëkurën e 2-vjeçares janë shkaktuar nga një sëmundje e lëkurës nga e cila ajo vuante. Pas kontsatimit të djegieve në trupin e saj, rasti është marrë dhe po ndiqet përveç policisë, dhe nga prokuroria e Tiranës.
REZULTATET E EKSPERTIZËS
Mësohet se vajzës i janë kryer 2 ekspertiza mjeko-ligjore, e para për të përcaktuar nga çfarë janë shkaktuar shenjat, që ka rezultuar nga cigarja dhe e dyta mundësia e një abuzimi seksual të mundshëm.
Pas ekspertimit të dytë ka rezultuar që vajza nuk është dhunuar seksualisht. Ndërkohë, shenjat që e mitura ka në trup, për shkak se nuk janë mjekuar për ditë me radhë, dhe kruarjeve nga dhimbja, janë përhapur duke u infektuar.
PRINDËRVE DO IU HIQET E DREJTA E PRINDËRIMIT
Agjentët e Komisariatit Nr. 4 po përgatisin dokumentacionin për përcjellen e rastit te shërbimi social për heqjen e të drejtës së prindërimit. Familja e saj jeton në kushte të vështira ekonomike, ndërsa prindërit nuk janë kujdesur për dy fëmijët e mitur.
/Zëri.ai