
VLORË- Petrit Ndoj, 51-vjeçari nga Lezha, i cili u kap me 4 mina me detonatorë është njohur me masën e sigurisë "arrest me burg", të vendosur në seancën e sotme nga Gjykata e Vlorës. Për herë të parë, ka dhënë edhe dëshminë e tij para togave të zeza, duke pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me minat që iu gjetën në mjet. Avokati i Petrit Ndoji deklaron se klienti i tij mund të jetë futur në kurth.
"Klienti im ka marrë një qese në Vorë dhe do e sillte në Vlorë. Vetë kishte destinacion Ksamilin. Nuk kishte dijeni se çfarë kishte në pako,"-është shprehur avokati, ndërkohë Ndoj, minat i kishte fshehur në kroskotin e makinës. Por nuk zbuloi se kush ishte personi që i kishte dhënë qesen, e ku ishte destinacioni i "pakos" me eksploziv.
Disa ditë më parë, në kuadër të operacionit "Knock out 3", Policia e Shtetit raportoi se 4 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Ndaj tij rëndon akuza “mbajtja pa leje" dhe "prodhim i armëve shpërthyese dhe municioneve”./Zëri