
TIRANË-Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për sekuestrimin e dy pasurive nga GJKKO. Mësohet se rekursi i Xoxës ka ardhur vetëm disa ditë pas vendimin të GJKKO-së në lidhje me sekuestrimit e pasurive.
Bëhet fjalë për një apartament në zonën e Selitës, që sipas SPAK, rezulton e regjistruar në emër të një kompanie. Konkretisht apartamenti i sekuestruar rezulton i regjistruar në emër të kompanisë “AGI KONS” e biznesmenit Gentjan Sula, i cili po ashtu është nën hetim, me masë sigurie “detyrim paraqitje”.
Bashkëshortja e Erion Veliajt akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Gjatë seancës së kaluar Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe ndryshoi masën për bashkëshorten e tij, Ajola Xoca nga 'arrest shtëpie' në "detyrim paraqitje". SPAK akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF./ZËRI