
SHKODËR-Një aksion masiv i Policisë së Shtetit po vijon prej dy ditësh në zonën e Dukagjinit në Shkodër. Mbi 20 mijë rrënjë kanabis sativa dhe fidanë janë gjetur dhe sekuestruar nga ky aksion. Rreth 250 forca policie nga drejtoria vendore e Shkodrës, FNSH e Shkodrës, Lezhës, Fierit dhe forcat RENEA po vijojnë kontrollet intensive në pjesët malore të Dukagjinit.
Ky aksion me afro 250 efektivë të Shkodrës dhe disa qyteteve të tjera të Shqipërisë do të vijojë për afro një javë me qëllim goditjen e të gjitha parcelave të drogës. Këto aksione të përditshme me forca të shtuara po zhvillohen në kuadër të operacionit kombëtar “Territor i Pastër” me qëllim asgjësimin e kanabisit. Gjatë këtij operacioni, forcat e policisë disa herë kanë hasur vështirësi për shkak edhe të terrenit të thyer malor në fshatrat e Dukagjinit.
Ndërkohë deri më tani sipas informacioneve policore nuk ka persona të ndaluar kjo për shkak se kultivuesit e drogës në Dukagjin janë të favorizuar nga terreni i thyer malor dhe sapo konstatojnë policinë largohen në drejtim të paditur duke mos lënë gjurmë. Gjithsesi forcat e policisë të ndihmuar edhe nga RENEA dhe FNSH janë duke hetuar lidhur me çdo rast për identifikimin e autorëve e më pas gjetjen dhe kapjen e tyre.
Në këto 6 muaj të parë të vitit nga operacionet antikanabis të zhvilluara në qarkun Shkodër, efektivët e policisë kanë arritur që të asgjesojnë afro 170 mijë rrënjë kanabis sativa dhe fidanë dhe po ashtu sasi droge e përpunuar e gatshme për treg. Operacioni kombëtar “Territor i Pastër” do të vijojë në qarkun Shkodër ku përveç Dukagjinit që është zona më problematike, po ashtu shqetësuese mbeten zonat malore në Malësinë e Madhe, Vau Dejës apo Pukë.