
DUBAI- Arrestohet në Dubai, Denis Bajri (Bajroviç). I riu, ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ku akuzohet se ka kryer vrasje. Emri i tij doli në dritë nga përgjimet e zbardhura të aplikacionit "SkyECC", si pjesë e grupit Bajri në Shkodër. Bazuar në bisedat e grumbulluara nga kodi "B045ZY" në aplikacion, kanal që dyshohet se përdorej edhe nga Bajroviç, 36-vjeçari akuzohet për vrasjen e Gjin Ndoj Boriçit në Shkodër, më 9 Gusht të 2020-ës në Shkodër.
NJOFTIMI I POLICISË:
Informacioni i siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe i shkëmbyer në kohë reale me partnerët në Emiratet e Bashkuara, mundëson lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, në kuadër megaoperacionit “Metamorfoza”. Finalizohet nga Policia në Emiratet e Bashkuara, operacioni policor i koduar “Rishtas”. 36-vjeçari i ndaluar, i akuzuar nga SPAK, për vrasje. Në vijim të punës së pandërprerë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion se një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për vrasje, fshihej në Emiratet e Bashkuara.
Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të zyrave të Interpolit, ka mundësuar finalizimin në Emiratet e Bashkuara, të operacionit policor të koduar “Rishtas”, gjatë të cilit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit D. B., 36 vjeç, lindur në Shkodër. Ky shtetas është i akuzuar nga SPAK, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, pasi dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Gj. B. (N.), kryer më datë 09.08.2020, në Shkodër. Vijon bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
Pas vrasjes së Boriçit, vetë Denisi i shkruan Behar Bajrit: Gjoks e kry, kapedan. Mu blloku, se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka... Ndërsa në mesazhet e tjera që janë shkëmbyer mes tyre, kuptohet se autorët e kanë kryer vrasjen për "llogari" të biznesmenit tashmë të zhdukur, Ervis Martinaj. Por nuk dihet shkaku pse Martinaj e donte të vrarë Ndojin. Ishte Gjoka më pas, që "pajtoi" Behar Bajrin në Shkodër për të kryer ekzekutimin. Ky i fundit edhe pse kërkoi vrasës nga jashtë për të kryer favorin, përfundoi duke dërguar të afërmin e tij. Ndërsa të nesërmen, i shkoi në varrim për t'i pirë kafen e ngushëllimit. Si shkëmbim për vrasjen e Boriçit, Martinaj do të hiqte qafe Kleant Musabelliun, por fatmirësisht kjo e fundit nuk arriti që të realizohej kurrë. Pas çkodimit të aplikacionit dhe operacionit "Metamorfoza", Policia e Shtetit kishte nisur gjurmimin e pjesëmarrësve në vrasje. Behar Bajri u kap në Francë dhe tashmë është ekstraduar, ndërsa për anëtarin tjetër të grupit do të jetë e vështirë pasi deri më tani, Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe./ZËRI