VLORË- Sektori i gjelbërimit në Vlorë i është rikthyer normalitetit, pasi punonjësit e këtij sektori kanë nisur këtë të mërkurë punën për përkujdesjen e hapësirave të gjelbëruara në rrugën e Unazës së Madhe, në zonën e centralës.
Me sa duket është gjetur dakordësia pas protestës dy ditore në dyert e Bashkisë së Vlorës dhe të Prefekturës së Qarkut. Sipas tyre, dakordësia është arritur pas takimit gjatë ditës së djeshme me nënkryetaren e Bashkisë së Vlorës, teksa shprehet se kjo të zbatohet me përpikmëri.
Sipas punonjësve, pasi kanë paraqitur kërkesat e tyre, është vendosur se ata do të vazhdojnë të kryejnë vetëm punët e gjelbërimit, si dhe pastrimin e zonave përreth hapësirave të gjelbra, por jo pastrimin e trotuareve dhe rrugëve të qytetit.
60 punonjës të Ndërmarrjes së Gjelbërimit dolën të hë në protestë përpara Bashkisë së Vlorës, për shkak të shkrirjes së dy drejtorive, asaj të Pastrimit dhe Gjelbërimit, në një të vetme. Sipas punonjësve të gjelbërimit, kontrata e re i detyron ata të kryejnë edhe punët e pastrimit, në të kundërt rrezikojnë largimin nga puna./ZËRI
