
TIRANË- Muaji shkurt ka regjistruar një rritje të numrit të aksidenteve në vend në krahasim me vitin e shkuar. Raportohet se gjatë muajit shkurt u regjistruan 108 aksidente, një rritje prej 22.7% në raport me të njëjtin muaj të 2023-it. Ndërkohë numri i të aksidentuarve, të vrarëve dhe të plagosurve, ishte 149 persona.
Por ajo që bën përshtypje është fakti se ka rënë miti i të “martës së zezë’, kjo pasi sipas Institutit të Statistikave më shumë aksidente janë regjistruar të premten se të martën. Orari 08.00 me 12.00 e paradites është fasha e orarit me më shumë aksidente, shkruan Monitor. Ndërkohë shoferët më problematikëe në rrugët e vendit, sipas INSTAT, u përkasin moshave nga 45 në 59 vjeç.
“Aksidentet rrugore, në 78,7 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 45-59 vjeç, duke zënë 22,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Në muajin Shkurt 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Premte me 18,5 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur në ditën e Martë me 8,3 %” thuhet në publikimin e INSTAT./ZËRI