
SHBA- Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Donald Trump dhe ish-ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, John Bolton, ka kërkuar këtë të martë që Kosova dhe Serbia të kapërcejnë dallimet mes tyre dhe të përqëndrohen në dialog.
Gjatë një interviste për Radio Televizionin Serb, Bolton tha se se situate mes dy vendeve është komplekse dhe ndërkombëtarët nuk duhet të lejojnë konflikte të tjera.
John Bolton: Unë do të doja të shihja Serbinë dhe Kosovën të kapërcejnë dallimet e tyre. Mendoj se pavarësia e Kosovës është çështje e realitetit dhe kjo nuk do të ndryshojë. Çështja është se si të zgjidhen problemet e mbetura, të cilat padyshim janë shumë të ndjeshme për të dyja palët.
I ndalur tek situate e krijuar në veri të Kosvës pas sulmit terrorist që la të vrarë efektivin Afrim Bunjaku dhe plagosi dy kolegët e tij, Bolton hoqi një paralele me situatën në Ukrainë dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lejojnë që situate të tilla të përshkallëzohen në konflikt.
John Bolton: Shtetet e Bashkuara nuk mund të duan paqe më shumë se palët e përfshira. Duke marrë parasysh kaosin që mbretëron sot në Ukrainë, nuk duhet të lejojmë vazhdimin e ndarjeve që mund të kthehen në konflikt.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai