
SHBA- Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve. Kjo kërkesë vjen dy ditë pas sulmit terrorist të ndodhur në veri të Kosovës ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku, ndërsa tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit janë shtuar.
Zyrtari i lartë i DASH tha se gjatë bisedës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar “sulmin e tmerrshëm” të së dielës dhe ka dënuar dhunën ndaj Policisë së Kosovës.
“Të dyja palët duhet t’i kthehen dialogut që lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë zotimet e Ohrit”, shkroi ai në X.
Pas bisedës me Kurtin, Chollet bisedoi për rëndësinë e shtensionimit të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në bisedë me liderin serb ai ka kërkuar shmangien e veprime “që mund të nxisin më tej tensionet”.
“Humbja tragjike e jetës vë në pah nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për rikthimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Chollet.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.
Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai