
TIRANË- Gëzim Çela, i njohur edhe si “baroni” i drogës, është ekstraduar sot nga Kosova, atje ku iu vunë edhe prangat pasi ishte shpallur në kërkim. Pamjet e ekstradimit të tij janë publikuar nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, ku edhe bien në sy, masat e sigurisë. Siç duket edhe nga pamjet e mëposhtme, para se të futet në mjet për t'u kthyer në Shqipëri, atij i vihen duart në mur, për t'ju nënshtruar kështu edhe një kontrolli të fundit. Më pas, deri në pikën kufitare të Morinës është sjellë nga forcat e Policisë së Kosovës. Ndërsa para i kanë dalë edhe 3 furgona të Policisë së Shtetit, të cilat do ta dorëzojnë në burg, ku Çela do të mbetet në pritje të drejtësisë.
NJOFTIMI I PLOTË:
Policia e Shtetit
Ekstradohet i shumëkërkuari G. Ç., i akuzuar si kreu i një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike. Arrestimi në Ferizaj, Kosovë dhe ekstradimi i 56-vjeçarit, në Shqipëri, rezultate të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës, Policisë së Kosovës dhe ILECU-t. Si rezultat i partneritetit të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh, nëpërmjet Interpol Tiranës, dhe me veprime operacionale të përbashkëra, mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, paraditen e sotme, u bë i mundur ekstradimi në vendin tonë, i shtetasit të shumëkërkuar G. Ç., 56 vjeç, lindur në Fushë Kuqe, Kurbin. Shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, G. Ç. u arrestua më 08.12.2023, në Ferizaj, Kosovë, si rezultat i operacionit të përbashkët të koduar “Fundi i trishtë”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Korrupsionin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ai akuzohet si kreu i një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike, nga Shqipëria në Europë. Policia e Shtetit do të vijojë intensivisht, punën dhe operacionet e përbashkëta, me partnerët në të gjithë botën, për të lokalizuar, kapur dhe finalizuar ekstradimet e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gëzim Çela prej 2006-ës ishte në kërkim nga policia për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Bazën e kishte në zonën e Fushë Kuqes. ‘Baroni i drogës’ Gëzim Çela u arrestua më 8 dhjetor në Kosovë. Gjatë këtij operacioni, u arrestua për ndihmë ndaj tij, shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Meta. Në momentin e arrestimit në 8 dhjetor 2023, 55-vjeçari ishte në shoqërinë e dy femrave nga Shqipëria. Nga kontrollet e ushtruara atij iu gjetën karta identiteti si shtetas i Kosovës. Ai qarkullonte me identitet të ndryshuar si Bekim Bajraktari, ndërkohë që dyshohet se është ndihmuar nga shqiptarë të Kosovës, për t’iu fshehur kaq gjatë drejtësisë shqiptare. Gjithashtu Çela shfaqet më ndryshe dhe në pamjen e tij, ku dyshohet se ka kryer ndërhyrje estetike, në mënyrë që të mos identifikohej./ZËRI