Aktualitet

Reshjet e borës 'paralizojnë' Veriun/ Cilat janë akset problematike në vend

Qarku i Dibrës dhe i Kukësit janë mbuluar nga reshjet e dëborës gjatë ditës së sotme.

D.XH
Reshjet e borës 'paralizojnë' Veriun/ Cilat janë akset
Bore ne Rrugen e Arbrit

DIBËR – Qarku i Dibrës është përfshirë mëngjesin e sotëm nga reshjet e dendura të dëborës. Reshje dëbore ka pasur në qytetin e Bulqizës dhe të Peshkopisë. Temperaturat në këtë qark shënojnë 5 gradë celcius, ndërsa ka probleme me qarkullimin e makinave në Bypassin e Rrugës së Arbrit dhe në segmentin Plani i Bardhë-Qafa e Buallit.

Bllokohen 10 makina tek Ura e Vashës në Rrugën e Arbrit

Rreth 10 makina mësohet se janë bllokuar tek Ura e Vashës në Rrugën e Arbrit. Automjetet janë bllokuar, pasi nuk po përdorin zinxhirët. Borëpastrueset janë në terren, për të hapur rrugën. 

Edhe në qarkun e Kukësit ka rënë sasi e madhe dëbore. Lartësia e borës në këtë qark ka arritur në 15-30 centimetra. Në qarkun e Kukësit, rrugët janë të qarkullueshme normalisht, me goma dimërore.

‘Raportohet se disa fshatra në qarkun Kukës kanë mbetur pa energji elektrike. Prefektura e Kukësit, me anë të një njoftimi, ka dhënë detaje për reshjet e rënë në qarkun veri-lindor.  I gjithë territori i Qarkut Kukës gjatë gjithë natës dhe vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore, ku lartësia e borës shkon deri në 15-30 cm.

Nga informacioni i marrë nga terreni rezulton se: Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore. Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe  Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë. Furnizohet me energji elektrike pjesërisht qyteti i Kukësit dhe Nj Adm Zapod. Furnizohet normalisht qyteti Krumës dhe i B.Currit. E gjithë pjesa tjetër e Qarkut nuk furnizohet për momentin me energji elektrike. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.’- njofton prefektura.

Dëbora mbulon edhe Rrugën e Kombit

Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë ditës së sotme zonat malore të vendit. Borë ka rënë edhe në Rrugën e Kombit, por segmenti rrugor mbetet i kalueshëm normalisht.

Zonat malore të Shkodrës nën ‘pushtetin’ e borës

Edhe qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshjet e dëborës. Në akset Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth gjatë natës ka pasur reshje bore, të shoqëruara me erë të fortë. Borëpastrueset janë në terren dhe po punojnë për ta pastruar rrugën. Autoritetet kanë paralajmëruar se duhet pasur shumë kujdes në qarkullim, pasi pamja është vështirësuar nga fortunat e shumta të erës. Reshje të dendura bore kanë përfshirë edhe Pukën. Firma kontraktore po punon, me qëllim që rruga të jetë e hapur. Këshillohet lëvizja në këto akse me goma dimërore dhe në disa segmente edhe me zinxhirë.

Gjatë ditës së sotme, vendi ynë parashikohet të përfshihet nga një mot i paqëndrueshëm, me reshje shiu dhe shtrëngata në thuajse në gjithë territorin./ZËRI/

Poll

MOS HUMB