SHKODËR- Është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës Pjerin Bitani, i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të Vladimir Bruçit, ngjarje e ndodhur pasditen e sotme në Shkodër.
Sipas të dhënave paraprake, dorëzimi i të dyshuarit është bërë pas negociatave me efektivët e policisë, ndërsa tashmë po kryhen veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30, pas një konflikti mes dy personave, të cilët, sipas burimeve hetimore, kishin pasur prej vitesh marrëdhënie miqësore.
Dyshohet se përplasja nisi për shkak të kamerave të sigurisë të vendosura në lokalin në pronësi të Bitanit. Bruçi i kishte kërkuar heqjen e tyre, me pretendimin se banonte pranë zonës dhe kalonte çdo ditë aty.
Pas debatit verbal, situata dyshohet se ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit, duke mbetur i plagosur Vladimir Bruçi.
I plagosuri u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku vijon të marrë ndihmë mjekësore dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, pas vetëdorëzimit të Pjerin Bitanit, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj në aspektin ligjor.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër-Plagosi me armë zjarri fqinjin e tij, për motive të dobëta; pas kontrolleve të shumta, pamundësisë për t’u larguar dhe negociatave mes familjarëve dhe Policisë, vetëdorëzohet autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të komshiut të tij.
70-vjeçari u arrestua për “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Si rezultat i kontrolleve të shumta të kryera nga shërbimet e Policisë, pamundësisë për t’u larguar dhe për të qëndruar i fshehur, si dhe negociatave të vazhdueshme mes familjarëve të autorit të dyshuar dhe Policisë, shtetasi P. B. u vetëdorëzua te strukturat e Policisë, në lagjen “Rus”, ku qëndronte i fshehur prej disa orësh.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 70-vjeçari u arrestua për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi:
Rreth orës 14:30 të ditës së sotme, në lagjen “Partizani”, dyshohet se shtetasi P. B., 70 vjeç, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri fqinjin e tij, shtetasin V. B., 64 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme./ZËRI