
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar ankimin e zyrtarëve të arrestuar. Në një njoftim të bërë sot nga Apeli i GJKKO-së, bëhet me dije se çështja për ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës do të kalojë për rekurs në Gjykatën e Lartë.
NJOFTIMI I GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 05.05.2024,shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 18 akti, datë 29.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim R.M., M.Q., T.T., J.Z. dhe E.Z., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 28, datë 28.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 35, datë 30.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
1. Miratimin e vendimit nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për sa i përket disponimeve kundrejt apeluesve z. J.Z., z. T.T., znj. E.Z., z. M.Q. dhe z. R.M.
2. Miratimin e vendimit nr. 35, datë 30.03.2024 të të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për sa i përket disponimeve kundrejt apeluesve z. J.Z., z. T.T.,znj. E.Z., z. M.Q. dhe z. R.M.
3. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, se kanë lehtësuar një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, i pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC.
Qato dhe Molla u arrestuan pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, ndërsa 5 zyrtarë të tjerë u lanë në masën e arrestit “detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjykata ka vendosur gjithashtu arrest me burg edhe për Taulant Tushën, një tjetër ish-drejtues i rëndësishëm i Bashkisë së kryeqytetit që ndodhet aktualisht në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës./ZËRI