
TIRANË- Është shtyrë seanca që ishte planifikuar të mbahej në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen “5D”. Shkak mësohet të jetë bërë zëvendësimi i avokatit të një prej të pandehurve, Redi Mollës. Një tjetër avokat gjithashtu kishte një kërkesë. Ai kërkoi që të tërhiqte të gjitha aktet e dosjes dhe të njihej me to. Kjo gjë bëri që seanca e radhës të caktohej më 30 prill.
Ky është fraksioni i parë i dosjes “5D” ku janë të pandehur ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Qato dhe Molla po gjykohen për veprat penale të korrupsionit pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash. Të akuzuarit e tjerë Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punavia gjykohen për shkelje të barazisë në tenderë.
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, se kanë lehtësuar një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, i pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC.