
TIRANË- Për herë të parë, pas disa muaj denoncime të bëra nga ZËRI, Prokuroria e Tiranës ka faktuar dhe ka vendosur para fuqisë së ligjit 9 persona, të cilët akuzohen se kanë mashtruar qytetarët, por edhe për shpërdorim detyre. "Fletët e arrestit" janë prerë për: Elda Ibro, Andis Gjoka, Olsi Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi, Alban Kote, Aldo Daka, Edmond Mato, Roland Deda, Jordisa Dervishi, Alketa Sali Goxha, Albert Gega, Kejda Seferi, Mariela Basha, Besmir Barxhani, Saimir Hajdari, Bashkim Xhafa, Florian Beqaraj. Por nuk ka asnjë vendim për Olsi Ibron, bashkëshortin e Elda Ibros, i gjithashtu është i përfshirë në këtë SKEMË mashtrimi. Ky i fundit ka humbur gjurmët, por në pranga i ka përfunduar ortaku i tij në punët e pista, Arben Meskuti. Ky i fundit pas më shumë se 5 vitesh që denoncohet më në fund ka përfunduar në pranga.
Të gjithë, por edhe shumë të tjerë që ndoshta janë ende nën hetim, kanë ngritur një skemë piramidale, ndoshta të një niveli që Shqipëria e ka parë vetëm në vitin 1996 nga "Sudja". Tanimë mashtruesit janë më finokë, më të papakshëm, me lidhje më të larta, por sërish nuk i shpëtuan dot drejtësisë. Në këtë artikull ZËRI do të sqarojë me detaje sesi ka evidentuar kjo skemë mashtrimi, e cila fatkeqësisht nuk është e vetmja!
Kallëzimi i parë është bërë më 25 shkurt të vitit 2020 nga Ministria e Drejtësisë pasi verifikoi një denoncim të Dhomës së Përmbaruesëve që denonconin fenomenin, e thuajse një muaj më vonë (më 3 mars), Prokuroria gjeti shkelje dhe regjistroi procedimin penal. Pra kjo skemë mashtrimi ka 4 vite që hetohet nga Prokuroria, por u finalizua vetëm një ditë pasi kreu i SPAK, Altin Dumani tha në Kuvend se çështja ishte nën hetim. Ministria e Drejtësisë me emra ka kallëzuar institucionet mikrofinanciare: Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, por edhe personat fizikë: Elda Ibro, Andis Gjoka, Olsi Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi, Alban Kote, Aldo Daka, Edmond Mato, Roland Deda, Jordisa Dervishi, Alketa Sali Goxha, Albert Gega, Kejda Seferi, Mariela Basha, Besmir Barxhani, Saimir Hajdari, Bashkim Xhafa, Florian Beqaraj. Të gjithë këta emra të përmendur edhe në denoncimet e ZËRI-t. Por ka mbetur jashtë kompania "Transit", edhe pse ishte pjesë e listës që shoqërive që ishin ndërtuar nga Dhoma e Përmbaruesëve.
SI RA MINISTRIA NË GJURMËT E TYRE?
Në vitin 2019, një kallëzim solli ngritjen e një grupi pune nga Ministria që konstatoi se 3 shoqëri përmbarimore, konkretisht: "Zig", "STAR/FS" dhe "Flash”, kanë bashkëpunuar me "Micro Credit Albania" dhe "ADCA" kanë vepruar bashkë për të zhvatur qytetarët. Të 5 këto shoqëri, të ndihmuara nga një noter dhe avokatë kanë krijuar një skemë për të zhvatur debitorët e kredive të këqija. Të gjitha përfitimet shkonin në emër të "Micro Credit Albania".
"Kemi një dyshim te arsyeshëm se jemi përpara praktikave dhe/ose skemave të mashtrimit që kanë shkaktuar dhe po vijojnë të shkaktojnë pasoja shumë të rënda ndaj një kategorie të gjerë qytetarësh,"-ky ishte përfundimi në të cilin doli grupi i punës i ngritur nga Ministria e Drejtësisë.
Si fillim, masa që u mor ishte heqja e licensave për këta përmbarues që supozohej se do të ndërpriste lidhjet edhe me institucionet e mikrokredive.
Prokuroria e Tiranës ka zbuluar se vetëm për këtë rast, "MCA" ka blerë gati 4 mijë kredi të pashlyera nga banka "Procredit" me vlerë totale prej 7.3 MILIONË EURO. Nëpërmjet formave të ndryshme të presionit, përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi në institucionet e tyre, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe më pas u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat. Çdo pasuri që mund të kishin në emër të tyre.
"ProCredit Bank" ka pranuar vetë "marrëveshjen e konfidencialitetit" të nënshkruar më 28 prill të vitit 2015 midis bankës dhe shoqërisë “Micro Credit Albania”. Palët ranë dakord për shkëmbim informacioni lidhur me vlerësimin e protofoleve të kredive "të këqija". PRA: Procredit Bank ka rënë dakord që të kalojë kreditë tek MCA, por në fund u morën vetëm 80% e këtyre kredive që ishin listuara si të këqija nga Procredit Bank. Çmim i kësaj kontrate ka qenë 450 mijë euro, shumë që iu kthye në shumë herë më shumë, në 7.3 mln euro.
KU I KA GJETUR SHKELJET PROKURORIA?
RASTI 1
Prokuroria e Tiranës ka shqyrtuar disa raste konkrete. Tomorr Hidaj kishte marrë 2 kredi pranë “Bankes ProCredit”; njërën më 18 dhjetor 2006, ku kishte aplikuar për shumën 150 mijë lekë të reja; e tjetrën më 4 shkurt 2008, ku kishte aplikuar për 200 mijë lekë të reja. Kjo kredi më datë 28.08.2015 i kalon në duar MCA-së me total detyrimi 95,544 lekë (të reja).
Këtu nis edhe 'përndjekja dhe zhvatja' e kreditorit në fjalë!
Më 12 tetor shërbimi përmbarimorë “STAR” sh.p.k, me përmbaruese Jordisa Dervishi shënon përmbushjen e detyrimit; pra Tomorr Hidaj paguan gjithë detyrimin e tij, pasi Hidaj ka 4 ditë më parë ka marrë tek MCA shumën prej 122 300 lekësh. Këtu Prokuroria gjen fakt se MCA ka pasur dijeni se Tomorri dhe e shoqja, Dhurata nuk kanë pasur mundësi financiare që të shlyenin kredinë pasi ishin pjesë në regjistrin e kreditorëve të këqinj nga Banka e Shqipërisë.
"Vjedhja është kryer në kushtet e mirëbesimit duke mashtruar subjektet se me marrjen e kredisë tek MCA për të likujduar kredinë e mëparshme do të kishin kushte lehtësimi në pagesën e kësteve."
S'ka rezultuar kështu, përkundrazi!
RASTI 2
"Viktima e dytë" është Hysni Troci, gjithashtu debitor tek ProCredit. Për të, më datë 2 qershor 2016, Jordisa Dervishi e "STAR" vendos pushimin e ekzekutimit. "Titulli ekzekutiv" (pra: aktet noteriale që përmbajnë detyrim në të holla, si dhe aktet për dhënien e kredive bankare ose aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare) në fakt ishte parashkruar.
QË DMTH: Kreditori nuk mund ta ekzekutojë më sepse ka kaluar afati ligjor për ta vënë në ekzekutim. Një detyrim nga huaja nuk mund që të ekzekutohet pasi kanë kaluar 10 vite nga afati.
Ne vendimin e Gjykatës, kreditori i ri MCA, pretendon se debitori është 4465 ditë me vonesë, pra më shumë se 12 vite. Kështu Troçi është futur në një rreth vicioz duke marrë një kredi të re, për të shlyer të parë, e cila me ligj i ishte parashtruar. Këtë informacion juridik, ai nuk e dinte, kështu që iu desh të paguante edhe njëherë kredinë që qartësisht nuk kishte mundësi që ta paguante.
Edhe në këtë rast, 4 ditë para se të kërkohej pushimi i ekzekutimit nga kreditori hyn në lojë MCA dhe nëshkruan një kontratë të re kredie!
RASTI 3
Eriselda Rista së bashku me bashkëshortin e saj Ilir Dylgjeri ka marrë një kredi pranë ProCredit Bank në 2010, duke tërhequr shumë prej 700 mijë lekësh të reja. Disa muaj i shlyejnë normalisht dhe më pas nuk kanë më mundësi që të paguajnë këstet. Si procedurë, banka kërkon nga gjykata të nxirret një urdhër ekzekutimi për marrjen me forcë të detyrimit që çifti Rista-Dylgjeri i detyrohen bankës, e Gjykata e Tiranës nga ana tjetër ka lëshuar urdhër ekzekutimi në vlerën e 735 mijë lekëve. Për këtë procedurë, Gjykata i është drejtuar shoqërisë “Shkrela” dhe në mënyrë të detajuar ka kërkuar mbi 692 mijë lekë principal, mbi 230 mijë lekë interesa dhe mbi 85 mijë lekë gjoba. Në total, vlera e kërkuar është mbi 1 milionë lekë të reja, ndërkohë që vendimi i Gjykatës ishte për 735 mijë lekë, pra 272 mijë lekë më shumë sesa vendos Gjykata.
Përmbaruesja Ilirjan Shkrela gjithë kësaj shumë i ka shtuar edhe tarifën përmbarimore prej 58 mijë lekësh. Për të mbledhur paratë, fillimisht është sekuestuar paga e Ristës nga janari 2013 deri në janar 2014. 1 vit pa pagë! Gjithë këtë periudhë çdo muaj ka kaluar rregullisht shuma prej 12 mijë lekë të reja. Më pas dosja e saj ka kaluar nga banka tek "ZiG" duke i shtuar edhe 6600 lekë për shpenzimet e administratimit të dosjes përmbarimore. Në maj të 2015, ProCredit Bank e ka shitur kredinë tek "MicroCredit Albania", kështu që çifti ka nënshtruar 4 kredi të reja për mbylljen e detyrimeve.
Të gjitha këto raste tregojnë qartë mënyrën sesi "MicroCredit Albania" i mashtronte kreditorët duke u mbushur mendjen që të futeshin në kredi të reja, edhe pse nuk ishin në kushtet që ta paguanin.
Për të gjitha këto raste, asnjë nga përmbaruesit që u është hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë nuk ka pranuar që të zbatojë ligjin për të dorëzuar dosjet përmbarimore që kanë patur për veprim. Në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga ZËRI, rezulton se një prej tyre është edhe Gentjan Kamberi. Prokuroria shprehet se Kamberi ka braktisur në hollin e Ministrisë se Drejtësisë në datën 14.10.2019 dhe në datën 16.10.2019, 104 thasë me dokumente përmbarimore. Të tjerë kanë refuzuar t'i dorëzojnë dhe inventarizojnë materialet përmbarimore, aryseja mesa duket është e qartë; kanë qenë në shkelje të ligjit.
Referuar ligjit nr.26/2019 për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, neni 88/6 parashikon, marrjen ne dorëzim nga Ministria e Drejtësisë te te gjithë dokumentacionit arkivor, nga shoqëritë përmbarimore qe nuk ushtrojnë veprimtari përmbarimore, qe do te thotë qe u është hequr licensa. Ndërsa për sa i përket dispozitave konkrete jemi referuar tek udhëzimi i Ministrit te Drejtësisë nr.4846/33 date 03.11.2010. Si nga hetimi, por edhe nga të dhënat e raportit të Grupit të Punës evidentohen, të paktën 4 944 dosje/çështje përmbarimore qe janë ende të pa dorëzuara nga ish-përmbaruesit: Arben Meskuti, Alban Kote, Aldo Daka, Jordisa Dervishi, Alketa Tanushi, Kejda Seferi, Viola Ahmet/i, Albert Gega, Roland Deda të shoqërive “Shërbimi Përmbarimor ZiG”, “Shërbimi Përmbarimor STAR/FS” dhe “Shërbimi Përmbarimor FLASH”.
KONKRETISHT:
Nga aktet hetimore e konkretisht nga ankesat e shoqërisë OSHEE rezulton se ish-përmbaruesit e “Shërbimi Përmbarimor ZiG” kanë ende 434 çështje/dosje përmbarimore të pa dorëzuara. Nga informacioni i administruara prej “Alpha Bank Albania” dhe “Banka Kombëtare Tregtare” rezulton se ish-përmbaruesit e “Shërbimi Përmbarimor ZiG” kanë ende 323 çështje/dosje përmbarimore të pa dorëzuara. Në total rezultojnë se, janë mbi 5 700 dosje/çështje përmbarimore të pa dorëzuara, me akte - aktive përmbarimore që kanë prekur dhe vijojnë të rëndojnë direkt mbi interesat pasurore të shtetasve në një numër palësh të përfshira me mbi 17 000 individë.
Por edhe ato dosje që janë dorëzuar kanë probleme. Shkresat e kompanive "MCA" dhe "ADCA" janë pa emra, pra nuk dihet se kush i ka firmosur, por edhe pse me dokumente të çala, imponoheshin tek debitorët për të shlyer borxhin që nuk fakt ata vetë nuk duhet që t'ua jepnin. Një tjetër problem i gjetur nga Prokuroria e Tiranës është edhe kamatvonesa, që është në kundërshtim me ligjin.
Në të gjitha kreditë ishte përdorur “kamata ligjore 2%+8%”. Ku është shkelja këtu? Kjo kamatë është lëshuar për kredi në vitet 2005-2006-2007-2008-2009-2010-2011-2012, 2013, 2014, 2015, deri ne 3 nëntor 2016, kur në fakt Gjykata duhet të parashikojë kamatat ligjore dhe jo përmbaruesi.
Një ekspert ka bërë përllogaritjen e një kamate dhe ka nxjerrë një përfundim të frikshëm: Vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë “Micro Credit Albania” Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% ne vit është ne shumen 258,687,709.07 leke. Të gjitha urdhrat e ekzekutimit të kësaj kamate pa ndonjë referencë ligjore, të paligjshme, janë lëshuar nga përmbaruesja Keida Seferi.
Zbulimi bëhet edhe më keq, pasi janë sekuestuar edhe prona, SHEMBULL është Asllan Lika. Për vetëm 347 958 lekë i janë sekuestruar: Arë, nr. 3, ZK 2652, vol. 2, fq. 42, sip. 400 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 4, ZK 2652, vol. 2, fq. 43, sip. 2 280 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 4/1, ZK 2652, vol. 2, fq. 44, sip. 220 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 5, ZK 2652, vol. 2, fq. 45, sip. 95 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 5/1, ZK 2652, vol. 2, fq. 46, sip. 1 305 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 6, ZK 2652, vol. 2, fq. 47, sip. 250 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 7, ZK 2652, vol. 2, fq. 48, sip. 90 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 8, ZK 2652, vol. 2, fq. 49, sip. 2 570 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 9, ZK 2652, vol. 2, fq. 50, sip. 950 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 10, ZK 2652, vol. 2, fq. 51, sip. 270 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 11, ZK 2652, vol. 2, fq. 52, sip. 1 950 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 12, ZK 2652, vol. 2, fq. 53, sip. 300 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 23, ZK 2652, vol. 2, fq. 53, sip. 1 200 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë; Arë, nr. 24, ZK 2652, vol. 2, fq. 55, sip. 200 m2, Mëner i Sipërm, Tiranë.
Sesa ka qenë fitimi, mund ta merrni me mend. Janë sekuestuar 14 toka për vetëm 347 958 lekë.
Të njëjtin fat ka pasur edhe Bajram Kodra, që për vetëm 30 767.34 lekë i janë sekuestuar: Arë nr. pasurie 1632, ZK 3775, sip. 694 m2; Arë nr. pasurie 1802, ZK 3775, sip. 398 m2; Arë nr. pasurie 1804, ZK 3775, sip. 1772 m2; Arë nr. pasurie 2146, ZK 3775, sip. 1321 m2; Arë nr. pasurie 2448, ZK 3775, sip. 3429 m2; Truall nr. pasurie 2518, ZK 3775, sip. 256 m2, Arë nr. pasurie 2519, ZK 3775, sip. 507 m2; Arë nr. pasurie 2563, ZK 3775, sip. 633 m2; Arë nr. pasurie 2565, ZK 3775, sip. 1152 m2.
Për Prokurorinë kjo është "jashtë çdo logjike ligjore", por për institucionet në fjalë, ka qenë një detyrim që duhej paguar...për të pasuruar ata.
Fatkeqësisht, Lika dhe Kodra nuk janë të vetmi, pasi edhe Sadik Çokut për 68 922 lekë, i janë sekuestruar: Pemëtore me nr. pasurie 301/13, vol. 4, faqe 138, me sip. 1,460 m2, ZK 1977, Ibë e Poshtme, Tiranë; Arë me nr. pasurie 70/9, vol. 1, faqe 238, me sip. ZK 1977, Ibë e Poshtme, Tiranë, arë me nr. pasurie 71/42, vol. 4, faqe 124, me sip. 1 500 m2, ZK 1977, Ibë e Poshtme, Tiranë; Arë me nr. pasurie 30/2, vol. 5, faqe 2, me sip. 1300 m2, ZK 1977, Ibë e Poshtme, Tiranë; Arë me nr. pasurie 70/25, vol. 4, faqe 202, me sip. 1 000 m2, ZK 1977, Ibë e Poshtme, Tiranë; Pemëtore me nr. pasurie 47/2, vol. 1, faqe 150, me sip. 2 100 m2, ZK 1977, Ibë e Poshtme, Tiranë,. Arë me nr. pasurie 83/2/1, vol. 4, faqe 131, me sip. 2 600 m2, –ZK 1977, Ibë e Poshtme, Tiranë.
Megjithatë, rasti më "i çmendur" që ka zbuluar Prokuoria e Tiranës ka qenë ai i Vehtim Karaj, të cilit i është marrë 500-fishi i detyrimit fillestar që është vetëm 1 267 160 lekë. Për më tepër i janë marrë pronat e bashkëshortes së tij, e cila nuk ka firmosur kurrë asgjë, megjithatë trojet tashmë janë "zhdukur" nga Jordisa Dervishi.
Për vetëm 1 267 160 lekë janë marrë marrë truallet me sipërfaqe totale 216 509 m2.
Kështu pra u zhvillua nën hundën e shtetit dhe të Bankës së Shqipërisë një nga skandalet më të mëdha financiare që është shënuar ndonjëherë në Shqipëri. "Sudja" ndoshta do të ishte më e mëshirshme!/ZËRI