
TIRANË- Banka e Shqipërisë është "zgjuar"! Një vendim që duhet ta kishte marrë kohë më parë, e ka marrë sot pas disa muajsh denoncime të bëra nga ZËRI lidhur me skemën e mashtrimit të mikrokredive. Sot, Banka e Shqipërisë ka REVOKUAR licencat e shoqërive mikrofinanciare ‘Final’ dhe ‘Micro Credit Albania', të cilat deri më tani ishin të pezulluara. (VENDIMET I GJENI NË FUND)
Në një njoftim zyrtar, Banka e Shqipërisë ka dalë në përfundimin se këto institucione nuk i plotësojnë më kushtet për të mbajtur licensën. Në këtë vendim kanë dalë pasi sot Prokuroria e Tiranës e cilësoi zyrtarisht, këtë metodë kredimarrjeje si "skemë piramidale", me qëllim zhvatjen e qytetarëve.
"Jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht."
Por është e paqartë se çfarë do të ndodhë me debitorët në këto dy institucione. Deri më tani, nuk ka asnjë njoftim pasi edhe vetë "BSH" thotë se po adreson kuadrin ligjor për të administruar kreditë e klientëve të këtyre dy kompanive. Një përgjigje më e qartë pritet që të jepet nga banka në ditët në vijim.
"Banka e Shqipërisë do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e kredive të këtyre dy subjekteve."
Sot, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, 9 persona u vendosën në masë sigurie, disa në burg e disa të tjerë në shtëpi, pasi akuzohen për disa vepra penale. Prokuroria ka dalë në përfundimin se Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, por edhe personat fizikë: Elda Ibro, Andis Gjoka, Olsi Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi, Alban Kote, Aldo Daka, Edmond Mato, Roland Deda, Jordisa Dervishi, Alketa Sali Goxha, Albert Geea, Kejda Seferi, Mariela Basha, Besmir Barxhani, Saimir Hajdari, Bashkim Xhafa, Florian Beqaraj, kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra.
Madje kanë zhvatur edhe pronat e qytetarëve që nuk kanë marrë kurrë kredi! Kjo është vetëm një nga dosjet që po hetohet, pasi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja bëri me dije në Komisionin e Ligjeve se Prokuroria e Tiranës ka edhe një dosje tjetër, ndërsa tjetra është në duart e SPAK. Në këtë të fundit, para përgjegjësisë për shpërdorim detyre është vënë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi revokimin e licencave të subjekteve MCA dhe FINAL
Data e publikimit: 23.05.2024
Nëpërmjet këtij njoftimi, ju bëjmë me dije se Banka e Shqipërisë, sot, më datë 23.5.2024, ka marrë vendim për revokimin e licencave të dy subjekteve financiare jobanka, përkatësisht licencën nr. 11, datë 20.2.2009 të shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe licencën nr. 38 datë 9.5.2016 të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k., tashmë e pezulluar me vendimin nr. 644, datë 6.2.2024.
Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë bazohet në dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka, të cilat parashikojnë, ndër të tjera, rastet e revokimeve të licencave kur subjektet e licencuara nuk vazhdojnë të plotësojnë më kushtet në bazë të të cilave janë licencuar. Në rastet e sipërcituara, për ortakët e të dy shoqërive që u është revokuar licenca, me kërkesën e Prokurorisë është vendosur masa e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, dhe jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”. Banka e Shqipërisë do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e kredive të këtyre dy subjekteve.
Por çfarë është ky skandal për të cilin flitet pak?
Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI