
DURRËS- Ende nuk ka asnjë shenjë nga 3-vjeçari, i cili është zhdukur bashkë me gjyshen e tij, ndërsa e ëma vazhdon edhe e kërkon. Prej ditës së djeshme, 54-vjeçarja Bahrie Gjuni është zhdukur pa gjurmë bashkë me nipin e saj, ndërsa në pranga është bashkëshorti i saj, i cili nuk tregon se ku mund të ketë shkuar e shoqja.

Pas denoncimit publik të rastit nga nëna e fëmijës, 22-vjeçarja Ile Gjuni, Policia ka bërë me dije se 58-vjeçari është proceduar penalisht për “marrjen pa të drejtë” të fëmijës dhe se aktualisht po kontrollohen të gjithë vendet ku mendohet se mund të ketë shkuar e shoqja e tij bashkë me të miturin. Por deri më tani nuk ka asnjë shenjë prej tyre.
Ka dyshime se i moshuari e di se ku i ka shkuar e shoqja, por ka zgjedhur që të mos tregojë duke çuar në fund planin e tij për të marrë kujdestarinë e plotë të nipit, i cili jetonte me të ëmën për shkak se Avni Gjuni (i ati) ishte ndarë nga jetë 1 vit më parë. Që prej humbjes së djalit të tyre, dy të moshuarit ishin treguar të vendosur që të merrnin të plotë kujdestatarinë e nipit të tyre, por e reja Ile Gjuni kishte vendosur që të kthehej në familjen e të atit të saj. Por gjithashtu deklaroi se edhe pse nuk e kishte më bashkëshortin, nuk e kishte ndarë djalin nga gjyshërit dhe e çonte tek ta çdo fundjavë.
Ajo hedh poshtë pretendimet për konflikt mes saj dhe gjyshërve të djalit në lidhje me përfitimet pasurore pas vdekjes së bashkëshortit.
“Nuk u kam kërkuar asgjë dhe s’më kanë dhënë asgjë. Dua vetëm djalin tim,”- deklaron ajo para mediave, por deri më tani nuk ka asnjë lajm të mirë për të.
Deri më tani mendohet se djali mund të jetë nxjerrë jashtë shtetit nga gjyshja, por nuk përjashtohet mundësia që të fshihen edhe në Shqipëri tek të afërmit e tyre./ZËRI