TIRANË- Një e penduar ka vendosur që të bëhet bashkëpunëtore e drejtësisë për hetimet ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Sipas raportimeve, "e penduara" në këtë rast është Adela Kondakçiu, financiere në kompaninë e Ajola Xoxës, e cila ka vendosur që të bashkëpunojë me drejtësinë më 25 prill 2025.
Adela Kondakçiu ka punuar për një kohë të gjatë, që prej vitit 2018, si financiere e Ajola Xoxës dhe nga fundi ishte hequr nga puna pasi kishte shprehur pakënaqësi për pagesat. Ajo u mor në pyetje më 10 dhjetor 2024, 4 ditë pasi i ishte bërë kontroll personal më 6 dhjetor, kontroll zyre si dhe i ishte sekuestruar celulari. Gjatë marrjes së saj në pyetje, ajo pretendoi se kishte pasur presion nga Xoxa, pra shefja e saj, por edhe avokati i çështjes. Para se të ishte e penduar, SPAK më herët e regjistroi si person në hetim Kondakçiun më 3 prill. Më 9 prill e mori sërish në pyetje, dërisa më 25 ajo vendosi që të bëhej bashkëpunëtorja e drejtësisë.
Këtë detaj, Ajola Xoxa dhe Erion Velaj e kanë marrë vesh vetëm kur janë marrë si të pandehur. Lidhur me statusin e Kondakçiut, "Report Tv" raporton se nuk ka mundur që të vërtetojë nëse edhe financierja është marrë e pandehur, apo është amnistuar totalisht nga SPAK.
Duke filluar nga e hënë e kaluar Prokuroria e Posaçme nisi komunikimin e akuzave zyrtare për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës Veliaj, duke njoftuar edhe përfundimin e hetimeve, për të lënë kohë deri më 24 shtator, si datë fundore për të dërguar çështjen në gjykim.
Kryebashkiakut Veliaj iu komunikuan akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe futje e sendeve në burg. Gjithsej të pandehur për këtë dosje janë 30 të pandehur, 14 persona dhe 16 kompani, mes të cilëve bashkëshortja e kryebashkiakut Ajola Xoxa, 7 biznesmenë, deputetja Klotilda Bushka, një polic i burgjeve etj.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'. Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar. Megjithatë këto denoncime kanë vendosur nën akuzë kryebashkiakun.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa u mor e pandehur për tre akuza, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim parash. Të pandehur u morën edhe biznesmeni, Mirton Lika, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka. Po ashtu është marrë i pandehur edhe polici i burgjeve, Fatjon Baçi, cili i dha celularin Erion Veliajt gjatë kohës që ishte i arrestuar./ZËRI