
SARANDË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Sarandë, ku një i moshuar ka vrarë gruan Shano Islami dhe më pas është vrarë nga i biri. E gjitha ka ndodhur në orën 7.00 të mëngjesit, në fshatin Shalës në Konispol, ku 69-vjeçari Husen Islami qëlloi me sëpatë të shoqen. Si pasojë e plagëve të marra 66-vjeçarja ndërroi jetë në vend. Pas ngjarjes, i moshuari është konfliktuar me djalin e tij, Klementin Islami, i cili e ka shtyrë nga shkallët e banesës dhe si pasojë i moshuari ka ndërruar jetë në vend.
"Shërbimet e Stacionit të Policisë Konispol, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të autorit të dyshuar, shtetasit K. I.,"-njofton Policia.
NJOFTIMI I PLOTË:
Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi H. I., 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 66 vjeçe. Më pas, shtetasi H. I. dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin K. I., rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin H. I. nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi H. I. ka humbur jetën në vendngjarje. Shërbimet e Stacionit të Policisë Konispol, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të autorit të dyshuar, shtetasit K. I. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI