KOSOVË- Kosova kërkon ndihmë për arrestimin e reperit Rigels Rajku, të njohur ndryshe si Noizy. Policia e Kosovës ka publikuar njoftimin zyrtar dhe ka shpallur në kërkim reperin Noizy bashkë me mikun e tij, Bahtjar Bajraktari. Të dy akuzohen për dhunimin e Muhamet Isenit, një personazhi të njohur në Tik Tok si Medi, i cili u dhunua në mënyrë barbare pak ditë më parë në Pejë.
Në njoftim, Policia e Kosovës jep të dhënat kryesore fizike të Noizyt dhe mikut të tij dhe u bën apel të gjithë qytetarëve të Kosovës që nëse i shohin, të njoftojnë menjëherë autoritetet.
Njoftimi:
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligjin për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tyre, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Personat e kërkuar janë: Rigels (Bashkim) RAJKU i lindur me 27.09.1986 nё Durrёs-Shqipёri dhe Bahtjar (Shasivar) BAJRAKTARI i lindur me 22.05.1992 nё Samadrexhё-Prizren.
Policia njofton se tё pandehurit kërkohen për veprën penale: Lёndim i rёndё trupor.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë, E-mail adresa: [email protected].
Si u rrah Medi Iseni?
Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit si Noizy, bashkë me grupin e tij është përfshirë në një sherr masiv rreth orës 03:00 të mëngjesit në një diskotekë në Pejë të Kosovës. Të dhunuar dhe me palgë të rënda mbetën Muhamet Iseni, i njohur në rrjetin social TikTok si “Medi” dhe një i afërm i tij, Bekim Hadërgjonaj. Pas ngjarjes, të dy u dërguan me urgjencë në spital. Nga htrati i spitalit, Medi Iseni ka bërë dalje të drejtpërdrejta në rrjetin social "Tik Tok" ku ka rrëfyer zanafillën e sherrit.
Medi Iseni akuzon se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat.
Ndërsa, reperi Noizy ka anuluar dy koncerte deri më tani, për shkak të çështjes në fjalë, një në Pejë dhe një tjetër në Gjilan. Në një reagim në rrjetet sociale, ai pretendon se vetë nuk është përfshirë në përplasje dhe se Iseni është dhunuar nga persona të tjerë, disa prej të cilëve as nuk i njihte. Po ashtu, ka nxjerrë edhe një video, ku Iseni flet me reperin tjetër, Cllevio Serbiano, ku e paralajmëron për ngjarjen që do të ndodhë, duke ngritur dyshime se e gjitha ka qenë e parapërgatitur./ZËRI