TIRANË- Elena Pelushi është emëruar në detyrën e zëvendësinspektores së re të Lartë të Drejtësisë. Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë konfirmoi lajmin, teksa sqaroi procedurën e ndjekur sipas ligjit.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi procedurën për përzgjedhjen e Zëvendës Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në përputhje me Ligjin Nr. 115/2016, të ndryshuar, dhe Vendimin Nr. 65, datë 09.11.2023.
Pasi shqyrtoi kandidaturën e paraqitur dhe zhvilloi një votim të fshehtë nga Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve, kjo e fundit vendosi t’i propozojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kandidaturën e Elena Pelushi për emërim si Zëvendësinspektore e Lartë e Drejtësisë.
Pasi mori në konsideratë mendimin këshillimor të Mbledhjes së Përgjithshme të Inspektorëve, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, vendosi të emërojë Pelushi në këtë pozicion.
Zëvendës Inspektorja e Lartë e Drejtësisë, znj. Elena Pelushi, u diplomua nga Shkolla e Magjistraturës në vitin 2002, me specializim në ndjekje penale. Më pas, ajo shërbeu si prokurore deri në shkurt të vitit 2021, kur u dërgua në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të kryer detyrat e inspektorit magjistrat.
Gjatë karrierës së saj si prokurore, Pelushi vjen në këtë detyrë me një eksperiencë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ajo është angazhuar në shumë trajnime profesionale të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës, Prokuroria e Përgjithshme, si dhe institucione dhe organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo flet frëngjisht, italisht dhe anglisht.
Zëvendës Inspektori i Lartë i Drejtësisë ushtron të gjitha kompetencat e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në mungesë të këtij të fundit, ose kur pozicioni është përkohësisht i lirë, me përjashtim të kompetencave institucionale që lidhen me lëshimin e urdhrave për funksionimin e duhur të institucionit, verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe kryerjen e inspektimeve, si dhe sigurimin e respektimit të rregullave etike dhe profesionale nga inspektorët dhe stafi administrativ. Zëvendës Inspektori i Lartë i Drejtësisë shërben për një mandat dyvjeçar me mundësi riemërimi.