Aktualitet

Çfarë po ndodh me gjuhën shqipe në RMV? Po 'mbijeton' mes kaosit dhe rrëmujës, por nuk i dihet deri kur...

Në rrugët e Maqedonisë së Veriut, gjuha shqipe vazhdon të hiqet në tabelat e sinjalistikës rrugore. Në disa tabela fjalët në shqip janë shkarravitur.

M.M
Çfarë po ndodh me gjuhën shqipe në RMV? Po
Foto ilustruese

MAQEDONIA E VERIUT-  Mediat maqedonase kanë bërë një analizë të përdorimit të gjuhës shqipe në komunikatat dhe web-faqet e institucioneve kryesore të Maqedonisë së Veriut, tani që në krye të tyre janë emëruar drejtues të rinj dhe pasi Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski paralajmëroi nisjen e një iniciative kundër gjuhës shqipe.

Gjatë periudhës 12-18 shtator, analistët kanë vënë re se Presidenca e Maqedonisë së Veriut nuk e përdor fare gjuhën shqipe në komunikatat zyrtare, ndërsa Kuvendi dhe Qeveria e përdorin në mënyra të ndryshme, me disa përjashtime dhe vonesa. Sipas analizës, Presidenca gjatë shtatë ditëve të analizuara nuk ka dërguar asnjë komunikatë në gjuhën shqipe, duke vazhduar të ndjekë të njëjtën praktikë si gjatë drejtimit të ish-presidentit Stevo Pendarovski. Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, situata është më pozitive. Përveç një rasti të vetëm, të gjitha komunikatat janë dërguar në të dyja gjuhët, duke respektuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Në lidhje me Qeverinë, analiza tregon se komunikatat në gjuhën shqipe shpesh dërgohen me vonesë, duke u dërguar fillimisht vetëm në maqedonisht dhe më pas, pas disa orësh, edhe në shqip.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pak muaj më parë votoi qeverinë e re me 77 vota pro dhe 22 kundër. Kryeministër i ri u zgjodh Hristijan Mickoski nga koalicioni qeveritar i përbërë nga VMRO-DPMNE dhe partitë e koalicioneve "VLEN" dhe "ZNAM". Gjashtë ministri udhëhiqen nga shqiptarët e koalicionit "VLEN", përfshirë ministrin e Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, dhe atë të Shëndetësisë, Arben Taravari.

Dy muaj pas formimit të qeverisë së re në koalicion me shqiptarët e "VLEN", kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, paralajmëroi një iniciativë kundër përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kostadinovski deklaroi se "ligji për përdorimin e gjuhëve ka krijuar një kaos juridik dhe politik". Kjo ngjalli reagime të ashpra nga koalicioni "VLEN" dhe partitë shqiptare, të cilët e cilësuan iniciativën si një tentativë për destabilizim politik. Ligji për dygjuhësinë, i miratuar në 2018, garanton përdorimin e shqipes në institucionet kombëtare

Lidhur me deklaratat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka patur mjaft reagime, ku së fundmi edhe kryeministri i vendit ka dhënë komentin e tij lidhur me ndryshimet. Në fjalën e tij në Kuvend, deputeti Elmi Aziri ka rikujtuar se shqiptarët janë prej kohësh në pjesë e RMV-së dhe se gjuha shqipe është folur gjithmonë. Sipas tij, i gjithë ky debat është një është shprehje e një mllefi të akumuluar nacionalist, shovinist, racist dhe fashist.

Çfarë po ndodh me gjuhën shqipe në RMV? Po
Darko Kostadinovski

“Ajo që u tha këtu është shprehje e një mllefi të akumuluar nacionalist, shovinist, racist dhe fashist. Këtu gjithçka u tha, për tiparet e shqiptarët, për atributet, u tha për gjuhën, bindjet politike, për tendencat që këtë shtet ta bëjmë ta barabartë dhe shqiptarë të trajtohen njëlloj si të tjerët, por personit në fjalë i pengon” tha mes të tjerash ai.

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski i pyetur sot rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e Gjuhëve dhe mundësin e destabilizimit të vendit tha se realiteti ndonjëherë është i hidhur dhe se nuk është “tryezë suedeze”, ku mund të marrësh atë që të pëlqen dhe ta lësh atë që nuk të pëlqen. Mickoski u shpreh se është person që i respekton ligjet dhe pret që kjo të pranohet edhe nga të tjerët.

Bashkimi Demokratik për Integrim i konsideroi qëndrimet e VMRO kundër gjuhës shqipe skandaloze dhe të papranueshme.

“Ky hap do të jetë goditja e rradhës dhe më e rëndë që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, legjitimitetit etnik, barazisë në vend dhe marrëdhënieve ndëretnike. Darko Kostadinovski u zgjodh anëtar në Gjykatën Kushtetuese si propozim i VMRO DPMNE, konkretisht ish Presidentit Ivanov, ndërsa u bë kryetar në kohën e kësaj qeveria me legjitimitet monoetnik. Justifikimi nga VLEN dhe mediat e afërta me to për sakatosjen e gjuhës zyrtare shqipe është skandaloz dhe flet ata që janë të shitur, por edhe që po e shesin kombin shqiptar për pozitat e tyre. Presupozimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kryetarit të saj është presion politik mbi gjykatësit dhe bëhet me porosi nga qeveria me legjitimitet monoetnik për ti poshtërsuar shqiptarët”, thuhej në reagim.

Çfarë po ndodh me gjuhën shqipe në RMV? Po
Foto ilustruese

Gjithashtu edhe koalicioni "VLEN", i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut që të mos marrë një iniciativë që rrezikon sovranitetin e vendit. Ata e kanë quajtur këtë iniciativë të Gjykatës Kushtetuese një përpjekje për grusht shteti dhe nëse kjo pranohet do të çojë në një krizë të vendit, madje ku do të përfshihet edhe ndryshimi i emrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Trupi Koordinues i VLEN-it, pa dëshirën për të ndërhyrë në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, e konsideron të rrezikshme dhe të papranueshme kërkesën e tyre për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ne besojmë se kjo iniciativë, e cila buron nga forca të njohura për qëndrimet e tyre kundër NATO-s, është një përpjekje për grusht shteti përmes eksperimenteve juridike. Nëse kjo iniciativë pranohet, mund të çojë në një krizë të rëndësishme për arritjet kyçe të shtetit, duke përfshirë ndryshimin e emrit kushtetues, i cili u realizua pa firmën e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, dhe që mundësoi anëtarësimin në NATO. Një akt i tillë do të rrezikonte stabilitetin dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërcënuar seriozisht orientimin e saj euro-atlantik”, thuhet në njoftimin e VLEN

Në rrugët e Maqedonisë së Veriut, gjuha shqipe vazhdon të hiqet në tabelat e sinjalistikës rrugore. Në disa tabela fjalët në shqip janë shkarravitur. Tabela të tilla janë të shumta deri në dalje të Kërçovës rrugës drejt Ohrit. Ndërmarrja Publike për Mbrojtjen dhe Mirëmbajtjen e rrugëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka deklrauar se do t’i kthejë tabelat në gjendje e mëparshme, me gjuhën shqipe të mbishkrur në to, ndërsa për përgjegjësit e kësaj vepre kërkojnë veprim nga institucionet përkatëse.

Me 69 vota pro e asnjë kundër, shumica parlamenatre në Maqedoni i dha dritën jeshile ligjit të të gjuhëvemë 11 Janar 2018, duke zgjidhur ngërçin e hershem të përdorimit të shqipes në institucionet zyrtare. Ligji i mori votat e partive shqiptare dhe të LSDM-së ndërsa në sallë munguan deputetët e VMRO-DPMNE-së. Ligji përcaktoi që përveç gjuhës maqedonase, në vend duhet të figurojë zyrtarisht edhe gjuha shqipe./ ZËRI

Poll

MOS HUMB