
TIRANË-Ashtu si dhe ishte njoftuar, ka nisur protesta para Gjykatës Kushtetuese kundër taksës për profesionet e lira. Me sloganin “Mos rri si dele protesto”, organizuesit kanë ftuar bizneset ofrues të shërbimeve profesionale të protestojnë. Qytetarët kërkojnë shfuqizimin e ligjit të tatimit të profesioneve të lira. Një prej tyre shprehet se ky taksim po i shkatërron bizneset.
"Me këtë ligj kërkojnë ta mbyllin biznesin. Po qe se tatimi nuk hiqet do e mbyll biznesin. I bej thirrj gjyqatrëve që ligji të jetë i barabartë për të gjithë", u shpreh qytetari.
Përveç qytetarëve, pjesë e protestës janë bërë edhe blegtorët, të cilët nuk kanë nguruar të sjellin me vet edhe delet, me pankarta të vendosuar në qafë.






Protesta para "Kushtetueses" u organizua nga emisioni i Piranjave, ndërsa është mbështetur edhe nga opozita. Nga tatimi preken mijëra njerëz që konsiderohen shtresa e mesme e popullsisë, të cilët bashkë me deputetët e opozitës kanë depozituar një padi në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkojnë shfuqizimin e taksës. Kategoritë e profesioneve që preken janë të shumta, inxhinierë, arkitektë, tekonologë, mjekë, dentistë… plot 169 profesione.
Nga 1 janari profesionistët e lirë do të tatohen 15% mbi të ardhurat e tyre. Shpenzimet për ata që nuk kanë mbajtur regjistër gjatë vitit të kaluar, do të llogariten duke hequr një referencë 30% mbi fitimin e gjeneruar. Por ky ligj është dërguar në Gjykatë Kushtetuese për t'u rrëzuar. Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 18 qershor 2024, bashkë të treja paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari. Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese u depozitua në shkurt 2024 nga 37 deputetë opozitës. /ZËRI