
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën që do të mbahej sot për personat e akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Që në nisje të kësaj seance, prokurorët e SPAK deklaruan se do t’i drejtohen autoriteteve turke, që të vënë në dijeni Dritan Rexhepin për gjyqin që do të mbahet në Shqipëri, siç e kërkon procedura në Shqipëri.
Sa kohë ai është i arrestuar procesi nuk mund të vijojë pa njoftimin zyrtar të Rexhepit mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij në Shqipëri.
Procesi ndaj tij në vendin tonë ka nisur prej disa muajsh, këtë të enjte Prokuroria do lexonte kërkesën për provat që do të sjellë në proces.
Më herët është dënuar me burg përjetë Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit “Golden Resort” ku u mbajt peng Jan Prenga, si dhe me tre vite burg menaxheri i resortit, Olsi Turja.
Dritan Rexhepi, 43 vjeç u arrestua në një operacion ndërkombëtar të Policisë Turke dhe asaj italiane në datën 9 Nëntor.
Rexhepi ka një historik të gjatë i përfshirë në ngjarje kriminale në Shqipëri, që e kanë pikënisjen në vitin 2007, kur vlonjati akuzohet për vrasjen e dy efektivëve të policisë. Më pas ai ka një seri arratisjesh nga burgjet, qoftë ato shqiptare, qoftë ato italiane. Pasi shpëtoi nga qelia, Rexhepi e zhvendosi aktivitetin e tij në Amerikën Latine, ku u bë drejtues i klanit Bello që dyshohet se ka sjellë tonelata me kokainë në drejtim të Europës.
/Zëri.ai