
TIRANË- Është shtyrë seanca e sotme për dosjen Gërdeci në GJKKO, për shkak se mungonin avokatët mbrotjës të Fatmir Mediut. Seanca e radhës do të mbahet në datën 30 Nëntor, në orën 10:00.
Dy avokatët Ardian Visha dhe Henrik Ligori, në të njëjtën ditë munguan pa asnjë arsye në Gjykatë, dhe për këtë shkak GJKKO caktoi një avokat kryesisht për Mediun. Bëhet fjalë për Artan Simonin. Gjykata synon zhbollikimin e këtij procesi, që është një prej dosjeve më të bujshme të drejtësisë së re në vendin tonë.
Vetë Fatmir Mediu pretendon se vepra penale për të cilën ai akuzohet është parashkruar, pasi ka tejkaluar çdo afat për hetimet. Në një kohë që procesi është rihapur në GJKKO, për çështjen Gërdeci u dha një vendim dhe nga Gjykata Europiane e të drejtave të njeriut.
Në vendimin e Strasburgut thuhej se hetimet për Mediun ishin zvarritur, dhe se familjarët nuk kanë marrë drejtësi edhe pse kanë kaluar 15 vite nga shpërthimi në fabrikën e armëve, ku humbën jetën 26 persona.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Sipas kërkuesve dhe SPAK pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut i cili akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
/Zëri.ai