Aktualitet

Gledis Nano fiton dhe në Apel gjyqin me qeverinë shqiptare, përfiton 100 mijë €

Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke e shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra.

k.m.
Gledis Nano fiton dhe në Apel gjyqin me qeverinë shqiptare,
Gledis Nano

TIRANË- Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka fituar betejën ligjore me qeverinë shqiptare. Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke e shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra.

Vendimi është marrë nga gjyqtarët Ardian Dvorani (relator) dhe anëtarët e trupës gjykuese, Gentian Hamiti e Sokol Ibi. Ky trup gjykues ka rrëzuar ankimin e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme që kërkonin prishjen e vendimit të Shkallës së Parë, që i dha të drejtë ish-kryepolicit për shkarkimin e padrejtë nga detyra. Kështu, pas vendimit të Apelit, në bazë të vendimit tashmë shteti duhet t'i paguajë Nanos 60 paga mujore për 5 vite. Pra një shumë që përllogaritet në rreth 100 mijë euro.

Shkarkimi erdhi me propozim të ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi. Edhe kryeministri Edi Rama e kishte deklaruar publikisht se i kishte kërkuar dorëheqjen e drejtuesit të Policisë, arsyeja zyrtare për largimin e tij ishte "mosrealizimi i objektivave". Shkarkimi i tij u bë më 31 gusht 2022, kur në post ishte emëruar në tetor 2021, duke u bërë kështu drejtuesi më jetëshkurtër i Policisë së Shtetit. 

Nano ka një karrierë mbi 20-vjeçare në polici dhe 5 vitet e fundit para se të emërohej kryepolic ishte drejtor i drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Ai është diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia, krahas shumë trajnimeve të tjera me agjencitë aleate të sigurisë, dhe në punën e tij ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, por tashmë ka një garë tjetër ku po merr pjesë. 

Aktualisht, Gledis Nano është në garë për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai ka kaluar fazën e parë të vlerësimit nga Komisioni i Posaçëm i SPAK dhe po garon në hallkat e tjera të procesit. Kështu, Nano është një nga 7 personat që garojnë për drejtuesin e FBI-së shqiptare./ZËRI

Poll

MOS HUMB