Aktualitet

Humbi vajzën, mesazhi i akademikut Rexhep Qosja: Mos paçi pikëllime të këtilla kurrë!

Rexhep Qosja përshkruan gjithë emocionet që ka ndjerë prej ndarjes nga jeta të të bijës, duke mos e fshehur dhimbjen për asnjë moment.

k.m.
Humbi vajzën, mesazhi i akademikut Rexhep Qosja: Mos paçi
Rexhep Qosja

PRISHTINË- Akademiku dhe shkrimtari i njohur shqiptar, Rexhep Qosja ka rrëfyer për herë të parë ndjesitë e humbjes të së bijës, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë. Më një mesazh të ndjerë në rrjetet sociale, Qosja përshkruan gjithë emocionet që ka ndjerë prej ndarjes nga jeta të të bijës, duke mos e fshehur dhimbjen për asnjë moment. Por po ashtu, nuk harron pa falenderuar të gjithë ata persona që i kanë qëndruar pranë në ditë të vështira, duke shprehur mirënjohjen për ngushëllimet e shumta dhe mbështetjen e sinqertë që ka marrë.

"Ju jemi shumë falenderues e mirënjohës të gjithë juve, që në çfarëdo mënyre keni gjetur mundësinë të na ngushëlloni, të na jepni zemër e kurajë. Mos paçi pikëllime të këtilla kurrë! Humbja e vajzës sime të shtrenjtë, më ka ndihmuar të kuptoj se sa e thellë është dashuria prindërore e sa e pafundshme është dhembja e largimit të parakohshëm të fëmijës për prindërit, por më ka bërë të kuptoj e të ndiej edhe se sa e nevojshme, se sa e dobishme e se sa e njerëzishme e fisnike është pjesëmarrja ngushëlluese për dhembje të mëdha njerëzore,"-shkruan Qosja në emër të të gjithë familjes së tij.

POSTIMI I PLOTË:

FALËNDERIM

Me 29 korrik, pas një kohe të gjatë të mbushur me dhembje e dhembshuri, me vuajtje e mundime, me sprova e pafuqi, humbëm të dashurën, të shtrenjtën, të pazëvendësueshmen, pjesën e shpirtit e të zemrës sonë, bijen time Editën, të mirën, të urtën, të prajshmen, zemërbardhën, fisniken, nënën e Valjetit, të Donikut, të Lironës, gjyshen e Rinesës e të Lizës dhe motrën e Violës sonë.

Këto ditë, kur pushuan dhembjet e Editës, kur ato dhembje na i la neve, janë ditë jo të lehta, janë ditë të rënda për ne, janë ditë që mos u provofshin nga askush. Por, në këto ditë dhembjeje e pikëllimi, na e hapën derën e na e ngushëlluan zemrën e mendjen numër i madh njerëzish – farefis, miq nga të gjitha trojet shqiptare, dashamirës të përhershëm, kolegë fisnikë, fqinjë nga afër e nga larg, por edhe një varg institucionesh kulturore, kombëtare, politike, një vargu krijuesish të arteve e të shkencave, të cilat na e lehtësuan e na e zbutën, aq sa është mundshme në këto raste, humbjen tonë të madhe, kurrë të harrueshme.

Ngushëllimet tuaja zemërore i kemi ndier shumë afër si në ditën e varrimit, si në ditët ngushëlluese përmes ardhjes, përmes telefonit, përmes postës elektronike, përmes komunikimit digjital e mediave. Ju jemi shumë falenderues e mirënjohës të gjithë juve, që në çfarëdo mënyre keni gjetur mundësinë të na ngushëlloni, të na jepni zemër e kurajë. Mos paçi pikëllime të këtilla kurrë! Humbja e vajzës sime të shtrenjtë, më ka ndihmuar të kuptoj se sa e thellë është dashuria prindërore e sa e pafundshme është dhembja e largimit të parakohshëm të fëmijës për prindërit, por më ka bërë të kuptoj e të ndiej edhe se sa e nevojshme, se sa e dobishme e se sa e njerëzishme e fisnike është pjesëmarrja ngushëlluese për dhembje të mëdha njerëzore. Me nderim e mirënjohje Rexhep Qosja me familje./ZËRI

Poll

MOS HUMB