VLORË- Gjykata e Vlorës ka lënë në burg autorin e dyshuar të vrasjes së Renato Hoxhaj më 27 prill në Vlorë, Kleanth Bylyku allias Armando Gega. Seanca ndaj tij u mbajt ditën e djeshme, ndërsa u arrestua vetëm pak ditë më parë. 42-vjeçari me dy emra akuzohet si bashkëpunëtor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Ai ra në prangat e policisë më 1 gusht, teksa po udhëtonte me një mjet tip Audi të bardhë. Policia ka identifikuar edhe ekzekutorin, një shtetas rumun që është larguar nga Shqipëria duke kaluar përmes pikës kufitare në Qafë Botë.
Ditën e vrasjes Kleanth Bylyku ka lëvizur në të njëjtin automjet me personin që e ka ekzekutuar. Bylyku ka qenë personi që e ka ndihmuar me lëvizjen, i ka dhënë informacionet e duhura për viktimën madje i ka siguruar edhe armën e zjarrit siç konfirmohet.
Ndër personat e shpallur në kërkim është edhe Alesio Dobrozi, i cili sipas informacioneve të fundit ndodhet në Dubai. Dobrozi është i njohur për autoritetet shqiptare dhe ka qenë më parë i përfshirë në incidente kriminale. Në vitin 2021, ai bashkë me Ramazan Rrajën dhe Roan Brahimin, i vrarë kohë më parë në Athinë kishin hyrë të armatosur në një lokal në Lezhë.
Në pranga në lidhje me ngjarjen është vendosur më herët edhe Eris Mehmetaj i dyshuar se ka ndihmuar autorin e vrasjes së Renato Hoxhajt. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Mehmetaj akuzohet se i ka dhënë automjetin e tij autorit të krimit dhe ai e ka pohuar një gjë të tillë, duke u shprehur se i ka lënë makinën një miku, pa e ditur se për çfarë do të përdorej më pas.
Renato Hoxhaj u ekzekutua me katër plumba mëngjesin e 27 prillit. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup. Autori ende i paidentifikuar ka lëvizur me një makinë tip "Range Rover" që është pikasur para dhe pas krimit dhe më pas ka humbur çdo gjurmë, ndërsa rezulton se ky mjet është blerë rreth 3 javë para krimit në Tiranë. Vrasja dyshohet të jetë porositur nga Dubai, ndërsa për të vënë në jetë planin e ekzekutimit të Hoxhajt më 27 prill, autorët kanë përdorur 3 automjete./ZËRI



