Aktualitet

Sulmi në Veri, Britania thirrje Kosovës dhe Serbisë: Rezikohet stabiliteti rajonal

Ai i bëri thirrje Serbisë që të bashkëpunojë me autoritetet në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që autorët e sulmit të dalin para drejtësisë.

E.K
Sulmi në Veri, Britania thirrje Kosovës dhe Serbisë: Rezikohet
Leo Docherty

BRITANI- Ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty, ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij. Ai u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë dhe Serbi që të punojnë së bashku që autorët e sulmeve të dalin para drejtësisë.

“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të inkurajojë për sjellje konstruktive në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si proces kyç për stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha Docherty.

Docherty qëndroi në Beograd si pjesë e turneut të tij në Ballkanin Perëndimor. Ai u takua me ministrin serb për Punë të Jashtme, Ivica Daçiç, dhe ministren për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, por edhe me ligjvënës serbë.

“Ngjarjet më 24 shtator paraqesin rreziqet reale për stabilitetin rajonal. Ato rrjedhin nga akumulimi i armëve dhe dështimi për të arritur përparim në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka për qëllim që të gjitha komunitetet të ndihen të sigurta”, tha Docherty, raporton REL.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të bashkëpunojë me autoritetet në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që autorët e sulmit të dalin para drejtësisë. Ministri britanik po ashtu i bëri thirrje Serbisë që të përdorë ndikimin e saj në veri të Kosovës për të shtensionuar situatën dhe që të mos ketë më shumë dhunë.

“Mbretëria e Bashkuar inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe në mirëbesim të rikthehen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, u tha në deklaratë.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.

Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB