
KOSOVË- Gjashtë nga tetë serbët e arrestuar për sulmin terrorist në veri të Kosovës janë liruar këtë të martë nga burgu. Lajmin e ka bërë me dije prokurori Afrim Shefkiu. Ky i fundit i pyetur nga Kiks Kosova ka treguar se katër personat ishin arrestuar pas kontrollit të bërë në makinën e tyre teksa aksioni i Policisë për kapjen e grupit kriminal vazhdonte.
Ndërsa janë liruar dhe dy persona të ndaluar një natë më parë. Sipas Shefkiut, nuk është arritur të bëhet lidhja e tyre me grupin terrorist.
Ndërkohë njëri nga të arrestuarit, fillimisht ka thënë se do të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës për të dhënë detaje në lidhje me grupin, me kushtin që autoritetet t’i ofrojnë mbrojtje familjes së tij. Por kjo nuk ka ndodhur.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve.
Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.
Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai