Aktualitet

'Ishim nën terror'/ Trupa e aktorëve të Kosovës 'peng' i policisë shqiptare...shkak një ngatërrese

Raportohet se gjithçka ka ndodhur pas një gabimi të bërë nga Policia shqiptare, e cila ishte vënë në mbikqyerje të dy grupeve kriminale që trafikonin tritol.

E.K
'Ishim nën terror'/ Trupa e aktorëve të Kosovës
Foto ilustruese

TIRANË- Trupa e aktorëve të Kosovës, janë mbajtur “peng” dhe shantazhuar nga Policia shqiptare, pasi dyshoheshin se ishin trafikantë tritoli, por pas sqarimit të rrethanave janë lënë të lirë pas të paktën 10 orësh. Raportohet se gjithçka ka ndodhur pas një gabimi të bërë nga Policia shqiptare, e cila ishte vënë në mbikqyerje të dy grupeve kriminale që trafikonin tritol.

Në një reagim në rrjetet sociale, Qendra “Multimedia”, shkruan se aktorët u mbajtën për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Po ashtu më tej ata shtojnë se përpos efektivëve që e kryenin siç duhet detyrën janë përballur dhe më një pasqyrë krejt tjetër të sjelljes nga ana e Policisë. Sipas tyre, janë dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht, ndërsa shtojnë se kanë qenë në një situatë terrori.

Reagimi i Qendrës “Multimedia”

Artistët nga Kosova bëhen subjekt i dhunës policore në Shqipëri

Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë "The Handke Project". Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës "Nënë Tereza", një pjesë e ekipit të shfaqjes u ndaluam në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.

U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, na lanë të lirë mëngjesin e sotëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.

Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t'ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhën seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar.

U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata për të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firenze e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.

Ekipi i shfaqjes “The Handke Project”.

Çfarë ndodhi një ditë më parë?

Policia e Tiranës ka ndërmarrë dy operacione kundër trafikimit të lëndëve plasëse, si dhe ka zbardhur vendosjen e një sasie eksplozivi në zyrën e noteres Esmeralda Dauti. Policia ka goditur një grup që trafikonte tritol nga Kosova, ku ka arrestuar 3 të rinj, dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë. Personat e arrestuar janë Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan. Gjatë operacionit u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasësë të dyshuar tritol, me peshë 46 kg./ZËRI

Poll

MOS HUMB