
DURRËS- Është zbardhur dëshmia e Hysen Metës, 25-vjeçarit që ka vrarë babanë e tij, Pëllumbin, në bashkëpunim me motrën 19-vjeçare dhe vëllanë 21-vjeçar. Gjatë dëshmisë së tij në polici, Hysen Meta ka treguar të gjithë skenarin si ka ndodhur ngjarja, se si e ka qëlluar babanë gjatë kohës që ai ka qenë duke pushuar në divan, dhe se si më pas kanë fshehur gjurmët në bashkëpunim me motrën dhe vëllanë. Sipas tij babai ishte bërë i padurueshëm në familje, dhe për këtë ata kanë thurur planin për ta vrarë.
“Planin për vrasjen e babait e bëmë së bashku me motrën sepse ai ishte bërë i padurueshëm në familje. Për gjithçka në familje duhej të vendoste ai dhe të bëhej si thoshte ai. Ishte e pamundur që ta kundërshtoje. E fundit ishte vendimi për të fejuar motrën me një person që nuk e kishim idenë se kush ishte në kundërshtim me dëshirën e saj. Në këto kushte vendosëm ta vrisnim e të zhduknim gjurmët. Vendosëm ta vrisnim me pistoletën e tij. Kështu që në mëngjes bëmë planin për ta vrarë.
Pasdite babai ishte shtrirë në divan dhe po pushonte. Në dhomë me mua ishte edhe motra. I thashë babait çohu. Ai u çua në këmbë dhe pastaj unë e qëllova 4 herë me pistoletë. Më pas u morëm me zhdukjen e gjurmëve. E zhveshëm dhe e mbështollëm me plasmas. E transportuam te kasollja dhe aty e varrosëm.
Më vonë larguam dhe makinën. Shkuam me dy makina në sektorin Rinia. Unë me makinën e babait kurse vëllai me një makinë tjetër që ja morëm një shokut tonë të cilit i thamë se na duhej për nja një orë makina e tij. E lamë makinën e babait atje dhe u kthyem me makinën e shokut që e ngiste vëllai im. Pastaj me datën 13 unë u paraqita në polici dhe denoncova largimin e babait nga shtëpia”, është shprehur Hysen Meta para grupit hetimor.
Sipas policisë, Pëllumb Meta është vrarë në datën 10 Shkurt, ndërsa 3 ditë më pas Hysen Meta do ta deklaronte të zhdukur. /ZËRI