LIBRAZHD- Situata në aksin Librazhd–Përrenjas vijon të mbetet kritike, pas shembjes së ndodhur në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”. Drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) kanë monituar situatën nga afër në zonën e Dragostunjës.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli, si dhe Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, Indrit Koleci, kanë përditësuar situatën për fillimin e punës në terren në aksin Librazhd–Prrenjas. Ndërhyrja në këtë aks ka nisur në përputhje me planin e masave të miratuara, me angazhimin e strukturave teknike, mjeteve dhe punëtorëve të shtuar për stabilizimin e segmentit dhe rikthimin e qarkullimit rrugor.
Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli ka deklaruar se ka nisur puna menjëherë pas vendimit të Këshillit teknik, që prej mbrëmjes së djeshme.
"Nga mbrëmja e djeshme, kontraktori ka nisur zbatimin e tre vendimeve të Këshillit Teknik: Mbulimin e shtratit lumor, demolimin e urës që ka nisur sot dhe lehtësimin e masës së rrëshqitjes në anën e sipërme, kjo për të çuar skarpatën drejt një ekuilibri natyral. Kontraktori ka një mobilizim total; janë 7 eskavatorë dhe 20 kamionë që po punojnë non-stop. Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik ka sjell gjithë ekspertizën, kanë ardhur 5 ekspertë nga Gjeologjia, inxhinierët e ARRSH kanë ardhur që në mëngjes për inspektime në terren. Projekti ka nisur tashmë", është shprehur Kozeli.
Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoriteti Rrugor Shqiptar, Indrit Koleci, ka dekalaruar se aktualisht nuk mund të jepet një afat i saktë për stabilizimin e plotë të rrëshqitjes, pasi po vijojnë studimet teknike në terren. Sipas Kolecit, brenda 3-4 ditëve pritet të ketë një vlerësim më të qartë për kohëzgjatjen e ndërhyrjes dhe për një afat paraprak të punimeve.
"Nuk mund të themi akoma një afat, por kemi bërë rilevim topografik të gjithë zonës së poshtme të lumit, aty ku do të bëhet edhe devijimi i përkohshëm. Kemi bërë edhe një modelim hidraulik të shtratit të lumit, do bëjmë edhe një rishikim me trupin e ri rrugor, për të qenë sa më të sigurt. Gjithashtu, vazhdojmë studimet edhe në pjesën e sipërme për stabilizimin e masës së rrëshqitshme. Afate nuk mund të themi sepse bëhet fjalë për volume shumë të mëdha. Për 3-4 ditë do të kemi dhe një vendim", është shprehur Indrit Koleci.
Autoritetet bëjnë me dije se do të vijojnë të aplikohen masat e përkohshme dhe do të orientohen qytetarët drejt rrugëve alternative, deri në stabilizimin e plotë të segmentit të dëmtuar./ZËRI