TIRANË-Efektivi i policisë së Komisariatit nr. 5 në Tiranë, Aurel Kaziu, i arrestuar një ditë më parë në pikën kufitare të Mendares nga Policia e Kosovës, është pezulluar nga detyra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.
Emri i tij doli mes 3 personave që po transportonin nga Serbia në Kosovë një shumë financiare, prej 1 milion euro cash. Kaziu prej rreth 3 vitesh ishte pjesë e policisë, ndërsa edhe më herët është marrë me transport të mallrave nga Shqipëri në vende të Evropës dhe Britani të Madhe, dhe anasjelltas, te emigrantët shqiptarë atje.
Shumën prej 1 milionë euro e kishte fshehur në makinë Aurel Kaziu, efektiv policie pranë komisariatit nr.5 në Tiranë. Ndërsa në mjet ishin dhe dy persona të tjerë nga Kosova, Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj. Sasia e konsiderueshme e parave që iu sekuestrua, dyshohet se mund t’i përkasë dikujt tjetër, të cilat dyshohet se janë të ardhura nga aktivitetet kriminale./ZËRI