
TIRANË- Lulzim Spahija, alias Lulzim Arapi ka pasur një vizitë të papritur në burgun e Beratit. Veçse vizitorët nuk ishin personat e tij të zemrës, por një grup oficerësh që kanë shkuar për të kryer një kontroll, i iniciuar nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani. Gazetari Elton Qyno bën me dije Tafani, ka pohuar se Arapi është një nga vrasësit e tjerë që ka kryer krime për llogari të Laert Haxhiut. Madje për ta bërë më të besueshme dëshminë e tij ka bërë një përshkrim fizik të hollësishëm të Lulzim Arapit.
I penduari ka treguar se Arapi ka një tatuazh në trup si dhe një shenjë në njërën nga këmbët. Sipas Tafanit, kjo shenjë i është shkaktuar Arapit gjatë një grabitje të kryer, ku në ikje e sipër atij i ka hyrë një hekur, e si pasojë çarja i ka lënë një shenjë e përjetshme dhe lehtësisht e identifikueshme në trup. Kështu që oficerë të Policisë së Elbasanit,javën e kaluar kanë kryer një kqyrje fizike brenda në burgun e Beratit të Lulzim Arapit.
Fillimisht ky i fundit nuk ka pranuar që të kontrollohet fizikisht pa prezencën e një avokati. E pasi kërkesa iu plëotësua, oficerët e policisë kanë konstatuar shenjën në njërën nga këmbët si dhe tatuazhin, e përshkruar nga bashkëpuntori i drejtësisë, Artan Tafani.
Kush është Lulzim Arapi(Spahija)?
Lulzim Spahija (Arapi) 28-vjeç nga Lushnja konsiderohet si një nga njerëzit më besnikë të Laert Haxhiut. Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, Arapi ka marrë pjesë në pjesën dërrmuese të ngjarjeve kriminale. Bazuar te dëshmia e tij, 28-vjeçari del se ka qenë pjesë në 5 vrasje. Bazuar tek deklarata e Policisë së Shtetit, emri i Arapit del në këto ngjarje kriminale:
1 - Vrasja me paramendim e shtetasit Çajup Selimi, e ndodhur më datë 01.06.2021, në qytetin e Tepelenës.
2 - Vrasja me paramendim e shtetasit Fridman Xhaferaj, e ndodhur më datë 02.06.2021 (konstatuar në datë 13.06.2021), në qytetin e Korçës.
3- Vrasja me paramendim e shtetasit Alban Semaku (Elton Mermali), e ndodhur më datë 16.10.2021 2021 (konstatuar në datë 13.06.2021), në qytetin e Peqinit.
4 - Vrasja për gjakmarrje e shtetasit Albi (Dijonist) Bashaliu, e ndodhur më datë 27.12.2021, në fshatin Gjocaj, Peqin.
5 - Vrasja me paramendim, e mbetur në tentativë, ndaj shtetasit Kujtim Meta, e ndodhur më datë 20.04.2022, në qytetin e Lushnjes.
Dëshmia e Tafanit inicioi operacionin “Never Forget” dhe zbardhi 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 6 vrasje, 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, etj. Aktualisht 3 persona janë shpallur në kërkim, 12 u prangosën.
Laert Haxhiu është njeriu që me bandën që drejtonte ka bërë të gjitha krimet që u renditën më lart. Aktualisht është i arrestuar në Greqi, ku rezulton se ka bërë edhe dy vrasje. Të gjitha krimet u zbardhën pas dëshmisë së Artan Tafanit, i cili bashkëpunoi me autoritetet pas arrestimit për një vjedhje që kreu në një "exchange" në Astir./Zëri.ai