
TIRANË- Një kontroll i imtësishëm po kryehet në terrenin e vendit për të zbuluar të gjitha "depot", ku bandat kriminale 'magazinonin' armët e tyre të zjarrit, të cilat do të shpluhuroseshin vetëm në ngjarjen kriminale të radhës. Në më pak se 1 javë, Policia e Shtetit ka zbuluar 3 baza armatimi, 2 në Durrës dhe një tjetër në Vlorë. Kjo e fundit me armë "më të sofistikuara". Deri më tani, në pranga kanë përfunduar 4 persona; një në Vlorë, i identifikuar si Luçiano (Albano) Deraj; në Durrës, Hekuran Troplini 20 vjeç dhe Emiljano Pasho 19 vjeç, ndërsa në Sukth u kap Adem Salillari. Ky i fundit, dyshohet se ishte bashkëpunëtor me dy të rinjtë e tjerë që u kapën gjatë fundjavës.
ZËRI ka mbledhur rastet, për të zbuluar më shumë detaje lidhur me "kërkesën"! Cilat janë armët që duket se përdorin më së shumti anëtarët e grupeve kriminale? Në Durrës, të dy bazat, specialitetin e tyre duket se kishin vetëm "kallashnikovin" dhe municionet për këtë lloj armë zjarri. I vetmi përjashtim që bëri baza në Sukth, ishte mbajtja e një granate gjithashtu e gatshme për shitje ndaj klientëve potencialë. Sipas të dhënave të siguruara nga dosja hetimore, çmimet e 'produkteve' varionin nga 800 deri në 1000 euro.
BAZA NË DURRËS
"Durrës/Goditet një tjetër bazë që shërbente për furnizimin me armë dhe municion të grupeve kriminale. Falë inteligjencës policore të siguruar nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe një hetimi proaktiv disamujor nën drejtimin e Prokurorisë u finalizua operacioni policor i koduar “Hills", në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”. Sekuestrohen 4 armë zjarri kallashnikovë, 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 4 celularë, 1 motomjet, një sasi lënde e dyshuar cannabis dhe një shumë parash. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 armë zjarri kallashnikovë me 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 1 motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar armët e municionin, me qëllim shitjen, 63 700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa."
BAZA NË SUKTH
"Si rezultat i operacioni, në Sukth, u zbulua një bazë, ku mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale. Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme."
Më shumë diversitet kishte baza e Vlorës, e cila duket se ishte e specializuar në shitjen e snajperave dhe armëve të tjera që nuk gjenden lehtësisht në treg, siç në rastet e mësipërme ishte kallashnikovi. Kryesorja ishte një armë tip snajper me silenciator, perfekte për goditjet nga larg, e shoqëruar nga shumë armë të ngjashme dhe dylbi që mund të përdoreshin ditë e natë për kqyrjen e shënjestrës. Ndaj edhe ka dyshimet se pikërisht ky snajper është përdorur edhe për vrasjen e Gëzim Sinomatit, sapo ky i fundit doli në ballkonin e shtëpisë së tij për të konsumuar një cigare. Megjithatë kjo nuk është vërtetuat ende nga hetuesit e Policisë së Vlorë. Po ashtu, edhe Deraj ka vendosur që të heshtë dhe të mos bashkëpunojë për zbardhjen e ngjarjeve që kanë tronditur qytetin, e që bazën materiale duket se e merrnin tek ai. Por nuk mbaron me kaq. I riu nga Vlora shiste mina, pistoletë-stilolaps (bashkë me fishekë), targa makinash dhe madje një radio pqë merrte valë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Vlorës. Kështu, duket se nuk ishin nevojë për një informator për t'i paralajëmëruar për lëvizjet e Policisë, gjithë informacionin që donin, mund ta blinin lehtësisht.
BAZA NË VLORË
"Falë informacioneve të siguruara dhe të vërtetuara në rrugë operative, për subjektin Luciano Deraj alias “Albano”, banues në Babicë të Madhe, Vlorë, në hetim nga ana jonë, për kryerjen e dy veprave të rënda kriminale, disa kohë më parë, në Vlorë, i cili posedonte një arsenal armësh, municonesh luftarake dhe lëndë shpërthyese, për llogari të tij dhe të personave të tretë, anëtarë të një grupi kriminal në qytetin e Vlorës, të cilit i atribuohen disa ngjarje kriminale. Në kuadër të ketij operacioni, i cili u zhvillua në orët e para të mëngjesit, në rrethinat e Vlorës dhe qytet, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit të sipërpërmendur dhe sekuestrimi i një sasie të madhe armatimi, si më poshtë: 1. Një armë zjarri snajper e kalibrit 7.62 mm, e montuar në gjendje luftarake, me silenciator (zhurmëmbytës); 2. Pjesë përbërëse të armëve luftarake, për formimin e 2 armëve të tjera zjarri pushkë snajper; 3. Një armë zjarri pistoletë, e markës “Zastava” kalibri 10 mm, dhe 2 krehra me fishekë të po këtij kalibri; 4. Një armë pistoletë-stilolaps me ngjyrë bronxi dhe një sasi prej 40 fishekësh të kalibrit 5.6 mm; 5. Një armë e futur në këllëf, e kalibrit 12 mm, prodhim Rus; 6. Dy kuti plastike me material ndihmëse për mirëmbajtjen e armëve snajper; 7. Minë e përshtatur me celular dhe eksploziv plastik, si dhe shtatë kallëpe me lëndë eksplozive plastik të kapaciteteve 200 dhe 400 gr; 8. Katër silenciatorë me trup metalik me ngjyrë të zezë për armë të gjata; 9. Një dylbi optike termike me ngjyrë ushtarake, me gjatësi 41 cm me shikueshmëri natën; 10. Katër dylbi optike si ato që vendosen në armët e zjarrit për shënjestër në largësi; 11. Dy palë dylbi optike vëzhgimi; 12. Akesorë plotësues për shënjestra optike të armëve të zjarrit; 13. Një kuti plastike me ngjyrë të zezë, brenda së cilës gjenden 200 copë fishekë kalibri 9 mm. 14. Një sasi e madhe fishekësh të kalibrit 7.65 mm dhe 45 krehra automatiku fishekë të kalibrit 7.62, model 56 dhe një sasi e madhe fishekësh të po këtij kalibri; 15. Nje sasi e madhe fishekësh kalibri 12 mm; 16. Disa mijëra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, ndezësa granatash dore; 17. Disa celëularë që do t’i nënshtrohen ekspertizës; 18. Një radio marrëse-dhënëse, me mbishkrimin, me karikuesin e saj në valë të DVP Vlorë; 19. Një pajisje me antenë; 20. Njësi qëndrore kompjuteri dhe DVR; 21. Një numër i madh targash automjetesh dhe celësash të ndryshëm automjetesh; 22. Disa maska me ngjyre të zeze dhe maska silikoni me formën e kokes se njeriut; 23. Disa fenelina policie dhe veshje te ndryshme."
Operacioni i nisur nga Policia duket se do të vazhdojë duke u shtrirë edhe në qytete të tjera, por deri më tani, nuk ka përgjigje për asnjë. Ku dhe si ishin siguruar këto armë zjarri? Për kë shiteshin? Për cilat ngjarje kriminale ishin, apo do të përdoreshin?/ZËRI