
TIRANË-Një ndryshim ka ndodhur sa i përket kartelave dhe vaksinimit të fëmijëve nga mosha 0-7 vjeç. Tashmë prindërit nuk do të kenë më nevojë të paraqiten pranë Qendrave Shëndetësore, për të tërhequr kartelën e vaksinave që kanë kryer të vegjëlit e tyre, sepse nga sot dokumenti sigurohet online dhe në kohë reale, nëpërmjet e-Albania. Në portalin e-Albania është shtuar një shërbim i ri elektronik i emërtuar si “Kartela Personale e Vaksinimit”.
Në formë elektronike, qytetarët mund ta paraqesin dokumentin në çdo kohë drejt administratës së çerdheve dhe kopshteve ku do të regjistrojnë fëmijët e tyre, duke i çliruar përfundimisht nga mundimi i përvitshëm për sigurimin e kartelës në letër dhe me vulë të njomë.
Gjithashtu as prindërit e fëmijëve që do të regjistrojnë fëmijët në klasë të parë nuk do të kenë më detyrimin ta depozitojnë kartelën pranë shkollës ku do të mësojë fëmija. Tashmë, nëpërmjet ndërveprimit të SMIP dhe Regjistrit Elektronik të Vaksinimit, kartela digjitale e vaksinimit do të dërgohet elektronikisht në shkollë nga vetë sistemi.