TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut, Erion Veliaj për përjashtimin e gjyqtares, Etleva Deda. Kjo kërkesë u bë nga Veliaj, në seancën e 2 shkurtit, me pretendimin se gjyqtarja i mohoi të drejtën të mbrohej efektivisht. Megjithatë, pas shqyrtimit nga gjyqtari Bib Ndreca, kërkesa e Veliajt është konsideruar e pabazuar ligjërisht dhe pa argumente të mjaftueshme për të justifikuar përjashtimin e gjyqtares.
Sipas vendimit të GJKKO-së, gjyqtarja Etleva Deda do të vazhdojë të marrë pjesë në procedurat gjyqësore, duke vijuar shqyrtimin e çështjes penale që ka të bëjë me hetimet ndaj Veliajt.
Në seancën e 2 shkurtit, kryebashkiaku Veliaj braktisi sallën e gjyqit me pretendimin se nuk është dëgjuar nga trupi gjykues. Pas pretendimeve në seancë edhe nga pala mbrojtëse, u caktua data 9 shkurt për të shpallur vendimin për kalimin ose jo të dosjes për gjykim.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
