
Policia e Tiranës ka vënë në pranga këngëtaren Ruenca Haxhia (Enca), pasi gjatë kontrolleve në banesën e saj në zonën e Lundrës i janë gjetur disa bimë me kanabis. Këngëtarja e cila prej disa kohësh nuk publikon këngë të reja, dhe i është dedikuar jetës së saj private, i kishte mbjellë bimët narkotike në ballkonin e banesës së saj.
Ndërkohë që policia ka publikuar dhe një foto të bimëve të kultivuara, ndërsa jozyrtarisht mësohet se është shoqëruar dhe i dashuri i saj i huaj.
Pas arrestimit, këngëtarja ka thënë se është përdoruese e kanabisit dhe e ka për përdorim vetjak.
“Finalizohet operacioni policor i koduar "Balcony", për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja.
Sekuestrohen bimët narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Balcony".
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton zyrtarisht policia.