
TIRANË- Instituti i Kontabilistëve të Miratuar ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizim të pjesshëm të Ligjit Për Tatimin mbi të Ardhurat, duke e konsideruar atë jo kushtetues. Ata kërkojnë që të shfuqizohet paragrafi 5 i nenit 3, gërma ç e paragrafit të parë në neni 12 si dhe në nenin 69 të këtij ligji të shfuqizohet gërma dh.
Në nene përfshihen si të vetëpunësuar që furnizojnë me shërbime profesionale. Këto biznese me të ardhur deri në 14 milion lek do të jenë pjesë e skemës së tatim fitimit 15 – 23% pas zbritjes së shpenzimeve. Sipas tyre kjo krijon pabarazi, ndërsa ligji i ri fut në skemë 30 mijë biznese dhe përjashton rreth 90 mijë të tjera deri në 2029. Në argumentin e tyre thuhet se këto ndryshime ligjore nuk janë në përputhje me kushtetutën.
Pikat që kërkohet të shfuqizohen:
Neni 3 paragrafi 5- “Individ i vetëpunësuar” është çdo person fizik i angazhuar në furnizimin e çdo lloj shërbimi apo i angazhuar në veprimtari të tjera profesionale, të ndryshme nga veprimtaria tregtare.
Neni 12 paragrafi 1 shkronja ç) të ardhurat e fituara nga një individ i vetëpunësuar nëse:
Neni 69, germa dh) për: i. individët tregtarë; ii. të vetëpunësuarit, si dhe; iii. entitetet: me të ardhura bruto deri 14 milionë lekë në vit, norma e tatimit mbi të ardhurat 0% do të aplikohet deri më 31 dhjetor 2029. Norma e tatimit 0% nuk aplikohet për tatimpaguesit e përcaktuar në nënndarjet “ii” dhe “iii” të kësaj shkronje, të cilët furnizojnë shërbime profesionale. Lista analitike e shërbimeve profesionale përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave në përputhje me legjislacionin në fuqi rregullues lidhur me këto shërbime profesionale.
Para tyre, edhe 37 deputetët të opozitës kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për tatimin mbi të ardhurat, duke e konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën. Prej 1 janarit të këtij viti profesionistët e lirë që ofrojnë shërbime profesionale (26 lloje aktivitetesh, të ndara në 169 profesione) janë bërë pjesë e taksimit me fasha, dhe nuk trajtohen më si biznes i vogël me 0% tatim. Ata që sigurojnë të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të tatohen me 15% ndërsa ata që kanë të ardhura mbi 14 milionë lekë do të paguajnë 23% tatim. Për ekspertët tatimi në mënyrë progresive i profesioneve të lira, krijon premisa për korrupsion, shkaktohen diferencime dhe diskriminim midis biznesit që deri në 14 milionë lekë nuk paguan tatim kundrejt një profesionisti.
Ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat u miratua marsin e viti të kaluar, ndërsa zbatimi i tij filloi nga janari i këtij viti për 26 lloje aktivitetesh, të ndara në 169 profesione. Përveç shoqatave të kontabilistëve edhe 37 deputetë të opozitës kanë dorëzuar një ankimim për këtë ligj që sipas tyre cenon rëndë profesionistët e lirë dhe godet shtresën e mesme në vend të cilët janë nga punëdhënësit më të mëdhenj në treg./ZËRI